Universitetet “sfidojnë” Ministrinë/ Në Korçë, Elbasan e Durrës hapen auditoret për studentët me e pa vaksinë

Me argumentin e autonomisë, universitetet e Korçës dhe Elbasanit po sfidojnë rregullat e Ministrisë së Arsimit, duke lejuar në auditore studentë me dhe pa vaksinë. Në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan dhe "Fan Noli" në Korçë, drejtuesit kanë vendosur të hapin dyert edhe për studentët që nuk kanë bërë vaksinën dhe nuk kanë paraqitur test anti-Covid. Zëvendësrektori i universitetit "Fan Noli" në Korçë deklaroi se ata nuk mund ti privojnë studentët nga mësimi, por do ti udhëzojnë për tu vaksinuar.

"Unë jam student i ekselencës, personalisht jam gati të djeg vitin nëqoftëse nuk merret një vendim kundër vaksinimit me detyrim."

Përballë këtij qëndrimi të një pjesë te mirë të studentëve, universiteti "Fan Noli" i Korçës luajti kartën e autonomisë për të sfiduar udhrin e Ministrisë së Arsimit që në auditore të lejohen vetëm të vaksinuarit ose ata që paraqesin çdo javë test që provon se nuk janë mbartës të koronavirusit.

"Të vaksinuar dhe të pavaksinuar do të futen me maska në auditore."

Në ditën e parë të rikthimit në auditore, pas gati 2 viteve mësim online, studentët e pavaksinuar në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan shpëtuan vetëm me një këshillë.

"Nuk jam vaksuinuar dhe nuk e prekën fare pjesën e vaksinimit."

Drejtuesit e universitetit ku vetëm 30 % e 12 mijë studentëve rezultojnë të vaksinuar nuk pranuan të komentojnë, ndërsa studentët ishin të ndarë në qëndrime çfarë do të bëjnë në vijim.

"U detyrova të bëj vaksinën që të mos djeg vitin shkollor."

"Nuk kam ndërmend ta bëj vaksinën."

Edhe universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku rreth 50 % e studentëve rezultojnë të vaksinuar, sfidoi Ministrinë e Arsimit duke hapur dyert për të gjithë të paktën javën e parë të vitit akademik.

"Nuk do të lejojmë që studentët të mos marrin informacion."

Universiteti "Luigj Gurakuqi" në Shkodër hapi dyert vetëm për 1000 nga 11 mijë studentët e regjistruar.

"Shumica nuk kanë ndërmend ta bëjnë."

"Nuk kemi siguri."

Rektorja, Suzana Golemi, tha se javën e parë do të bëhet analizim i të dhënave dhe më pas do të vendoset.

"Sot nuk do të lejohen se duam të marrim informacion si do të jetë."

Edhe studentët e pavaksinuar të universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë mbetën jashtë auditoreve në ditën e parë të vitit akademik.

"Jemi duke respektuar dhe zbatuar urdhrin e Ministrisë."

45 % e studentëve të universitetit "Eqrem Çabej" në Gjirokastër, rezultuan të pavaksinuar kundër Covidit, ndaj në këto kushte, rektori Bektash Mema paralajmëroi se do të rishikohet situata për gjetjen e alternativave që të mos e humbasin vitin shkollor.

Për një javë në të gjitha universitetet ishte java e hapur e vaksinimit, por në shumicë studentët janë kundër imunizimit të detyruar kundër koronavirusit.