Maqedoni e Veriut/ Partitë shpallin fitoren, shumë komuna do të shkojnë në balotazh
Opozita maqedonase ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale të fundjavës, edhe pse kryeministri Zoran Zaev thotë se rezultatet përfundimtare do nxjerrin fitues LSDM-në dhe aleatët e tij.
Votimet u mbyllën të dielën në orën 19:30, gjysmë orë më vonë se plani për shkak të problemeve teknike me aplikimin për herë të parë të aparateve biometrike për identifikimin e votuesve.
Rreth 49% e qytetarëve me të drejtë vote e ushtruan vullnetin për 80 kryetarët dhe kuvendet komunale.
Partia maqedonase, VMRO-DPMNE-ja, e priti triumfalisht rezultatin paraprak dhe shpalli fitoren në 20 prej komunave që në raundin e parë.
"Sot është ditë e madhe, një ditë historike për Maqedoninë dhe për VMRO-në. Ka lindur shpresa te çdo maqedonas," tha kryetari i opozitës, Hristjan Mickoski.
Fitoren në 20 komuna e pretenduan edhe socialdemokratët në pushtet të kryeministrit Zaev.
"Jam i bindur se do të kemi më shumë kryetarë komunash se VMRO-DPMNE-ja, prandaj nuk kemi pse të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Udhëheqim bindshëm në mbi 36 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Raundi i dytë çdo gjë do e ndryshojë në favorin tonë."
Nga partitë shqiptare, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli fitoren e BDI-së në tri komuna.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, tha se në raundin e dytë ai do të fitojë Tetovën, ndërsa kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, shprehu bindjen për marrjen e dy komunave urbane të Gostivarit e Dibrës.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideroi zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, të rregullta dhe të suksesshme.
Ministria e Punëve të Brendshme informoi për disa parregullsi dhe tentativa për blerje votash të cilat i kanë kaluar për shqyrtim prokurorisë publike.




