Përfundojnë votimet në Kosovë, pjesëmarrja 43%, nis procesi i numërimit të votave

Ka përfunduar procesi i votimit në Kosovë, ndërsa KQZ ka filluar të publikojë në kohë reale rezultatet e zgjedhjeve lokale nëpër komuna.

Procesi i votimit në Kosovë ka përfunduar pa incidente të theksuara.

Qytetarët iu janë drejtuar kutive të votimit në 38 komuna, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët.

Të gjitha qendrat e votimit u hapën me kohë në orën 07:00 të mëngjesit dhe të njëjtat janë mbyllur në orën 19:00.

Nga ana tjetër, KQZ në një dalje të radhë bëri me dije se  tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur e ka nisur numërimi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 ishte 43% apo 770 mijë e 117 votues.

Ai ka shtuar se në zgjedhjet lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 822 mijë 484 votues 43.5% .

Radoniqi gjithashtu ka theksuar se ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve dhe se nga ora 19:00 ka filluar afati 24 orësh për paraqitje të ankesave në PZAP.