Zgjedhjet në Kosovë: Votojnë rreth 27% e votuesve, trend më i ulët se në vitin 2017
KQZ në Kosovë njofton se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime është 26,95% apo 499 mijë e 828 votues.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi i votimit po vazhdon në të gjitha vendvotimet pa ndonjë incident të theksuar.
Radoniqi shtoi se deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale në vitin 2017 kishin votuar 541 mijë e 834 votues apo 28,65%.
Në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi ka thënë se votimi është duke u zhvilluar pa ndonjë problem.
“Votimi është duke vijuar pa ndonjë problematikë, sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar më shumë se 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 26.95% apo 499 mijë e 828 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishin votuar 541 mijë e 834 votues apo 28.65% e votuesve”, ka bërë të ditur kryetari i KQZ-së.
Qytetarët e Kosovës sot janë duke iu drejtuar kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkohë në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.
Nga ana tjetër, numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve.
Kështu, janë 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
