Kurti zhgënjen në zgjedhjet lokale, kandidatët e Vetëvendosjes nuk fitojnë asnjë komunë

Mbështetja e votuesve të Kosovës për Vetëvendosjes duket se është zbehur dhe partia në pushtet nuk ka arritur të bindë me kandidatët e saj, duke mos fituar asnjë garë për 38 kryetarët e komunave të saj. Më e fituara në raundin e parë ka dalë Lista Serbe, ndërkohë që janë përmirësuar ndjeshëm PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në opozitë.

Megjithëse e mori me plebishit pushtetin ekzekutiv tetë muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka zhgënjyer në zgjedhjet lokale.

Kandidatët e partisë së majtë morën të dielën 205 mijë vota ose mbi gjysmën më pak sesa në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti.

Edhe kryekomuna e Prishtinës që i takon asaj do të shkojë në raundin e dytë, në një garë mes ish-ministrit Arben Vitia i Vetëvendosjes dhe Përparim Ramës nga LDK-ja.

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë e opozitës e përmirësuan ndjeshëm pozitën me krerët e 17 komunave të fituara.

Lista Serbe, partia që mbështetet nga Beogradi, mori 9 nga 10 komunat me shumicë serbe.

Në rang vendi, votën popullore bazuar në rezultatet paraprake e fitoi Partia Demokratike e Kosovës, rreth 205 mijë vota apo 57 mijë më shumë sesa në zgjedhjet e shkurtit.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt po ashtu i përmirësuan shifrat përkatësisht me 64 mijë dhe 31 mijë vota më shumë sesa në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Megjithatë në balotazh do të shkojnë 21 komuna ku asnjëri nga kandidatët politikë nuk arriti të marrë mbi 50 për qind të votës popullore, siç e përcakton ligji.

Zgjedhjet lokale në Kosovë qenë të qeta, edhe pse në Panelin Zgjedhor për Ankesa janë parashtruar dhjetëra të tilla, ndërsa pjesëmarrja e votuesve qe gati 43 për qind, me përqindjet më të larta në rajonet me shumicë serbe.

Rezultatet në 2017

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, numrin më të madh të komunave, tetë prej tyre, e pati fituar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pati fituar në shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës në pesë komuna, Lëvizja Vetëvendosje në tri komuna, Aleanca për Kosovën e Re dhe Nisma patën fituar nga një komunë, si dhe dy kandidatë të pavarur fituan në dy komuna.

Lista Serbe pati fituar në të 10 komunat e banuara me shumicë serbe, si dhe Partia Demokratike Turqve të Kosovës në një komunë.