Edhe Maqedonia Veriore në zgjedhje nesër, arrestohen 4 persona për blerje të votave
Policia maqedonase ka arrestuar katër persona të dyshuar për blerje të votave për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.
Ata akuzohen se po shpërndanin para në lagjen Dracevë të Shkupit, në këmbim të votës.
“Të ndaluarit akuzohen për veprën penale ‘ryshfet në zgjedhje dhe votim".
Rasti i ka kaluar Prokurorisë publike për procedim të mëtejshëm”, thuhet në deklaratë ndërsa bëhet e ditur se janë sekuestruar rreth 2300 euro.
Afrimi i zgjedhjeve ka shkaktuar edhe më shumë tension ku në Prilep është kërcënuar një prej kandidatëve për kryetar të komunës.
Për ndarjen është ndaluar një 21-vjeçar dhe ndaj tij është marrë masa e 8 ditëve burgim.
Në zgjedhjet e së dielës, Maqedonia e Veriut zgjedh kryetarët e 80 komunave dhe këshillave komunalë, si dhe kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.
Në garë janë 10,653 kandidatë të partive politike, koalicioneve si dhe kandidatë të pavarur.
Të drejtë vote e kanë 1,824,863 qytetarë dhe të drejtën e votës e kanë edhe të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me koronavirus.
Gara kryesore zhvillohet mes dy blloqeve politike, LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet, dhe partive opozitare VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

