Kosova voton për komunat, krerët e partive më të mëdha politike apelojnë për pjesëmarrja masive qytetare
Qytetarët e Kosovës zgjedhin sot kryetarët dhe këshillat e 38 komunave të vendit. KQZ-ja vendore ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 në zgjedhjet lokale e ushtruan të drejtën e votës 8.2 për qind e qytetarëve. Kutitë e votimit mbyllen në orën 19.
Në Kosovë nisi të dielën në orën 7 procesi i votimit për kryetarët dhe këshillat e 38 komunave të vendit.
KQZ-ja njoftoi se të gjitha vendvotimet u hapën pa probleme nën masat kundër pandemisë, edhe pse kriteri i distancës fizike nuk u respektua plotësisht.
Krerët e katër partive më të mëdha që synojnë pushtetin lokal, u bënë thirrje rreth 1,9 milion qytetarëve ta shprehin masivisht vullnetin për të mirën e tyre.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës unë bashkë me qeverinë time do të punoj e bashkëpunoj shumë ngushtë në fuqizimin e komunave. Katër vite të mbara e të mira i presin qytetarët e Republikës së Kosovës anë e kënd Kosovës më te gjitha komunat ku ata jetojnë banojnë e punojnë."- shpreh Kurti.
“Unë jam udhëheqës i opozitës, por këtu para gjithash jam qytetar i Prishtinës, jam banor që me familjen time jetoj në këtë qytet. Prandaj ky obligim qytetar, kjo votë bëhet si obligim i qytetarëve të Prishtinës që dëshiron më të mirën për komunë e tij. Shpresoj që edhe gjithë qytetarët tjerë, këtu në Prishtinë, por edhe anë e mbanë Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratik për të zgjedhur kandidatët më të mirë dhe atyre që iu besojnë më shumë. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët, jo për politikanët, pjesëmarrja e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush do të udhëheq në katër vjetët e ardhshme.”
"Sot është festë sepse vendimmarrja u kthehet qytetarëve tanë. S'ka gjë më të mirë e më të bukur sesa kur qytetarët vendosin per të ardhmen e tyre. Uroj që kjo ditë të kalojë sa më mirë... dhe të përfundojë si e tillë, dhe në veçanti të uroj 41 mijë votuesit, që për herë të parë sot ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në një shoqëri të mbarë e të mirë."- tha Abdixhiku
"Të gjithë shfrytëzoni të drejtën për të votuar, edhe unë votova. Qeverisja komunale është mjaftë e rëndësishme për jetën e juaj, për jetën e qytetarëve në të gjitha drejtimet. Ju ftoj, vendosni për veten, mos e leni votën në shpi."- u shpreh Ramush Haradinaj.
Zgjedhjet u zhvilluan pa incidente edhe në komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, ku prej javësh ka pasur tensione me komunitetin serb.
Si zakonisht, pjesëtarët e partisë "Lista Serbe" iu drejtuan bashkërisht kutive.
Kandidatët në komunat e mëdha sivjet e kanë fokusuar fushatën zgjedhore te premtimet për më shumë investime në infrastrukturë dhe shëndetësi, për mbështetjen e ekonomisë, bizneseve, të rinjve dhe sportit e kulturës.
Qytetarët thonë se do zhdukur edhe korrupsioni e nepotizmi që të rinjtë të mos ikin të demoralizuar nga vendi.
‘Po presim më mirë se diçka më mirë. Kërkesa kryesore është vetëm vende pune. Ishalla fiton më i miri dhe bëhet më mirë."
Në Kosovë ka një koordinim të gjerë ndërinstitucional me mbi 3,500 policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë në terren.
Në kuadër të mbarëvajtjes së procesit dhe votimit të lirë, Prokurori i Shtetit njoftoi ditën se ka kryer disa arrestime me akuzat e marrjes apo dhënies së ryshfetit dhe për pengim të votimit.

