Kryeministrja serbe: Nuk do ta njohim Kosovën, s’është kusht për në BE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, është shprehur se nuk do ta nënshkruante kurrë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë thënë se nuk ka anëtarësim në BE për Serbinë pa njohjen e Kosovës, por pa një zgjidhjeje të konfliktit mes tyre.

Mediat serbe shkruajne se Kryeministrja është shprehur se, Serbia do të humbiste një shans historik për anëtarësimin në BE nëse nuk do të gjente një zgjidhje afatgjatë për Kosovën, por shtoi se beson që ky shans nuk do të humbasë.

Ajo tha se është në interesin e Serbisë të zgjidhë këtë konflikt të ngrirë, të gjejë një kompromis, si dhe të qëndrojë në rrugën evropiane.

 “Jo, si kryeministre nuk do ta firmos Pavarësinë e Kosovës. Gjetja e një kompromisi që do të siguronte paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm dhe rruga jonë evropiane janë në interesin e Serbisë, sepse ato do të sigurojnë që ne të vazhdojmë të forcohemi ekonomikisht. Është e mundur që ne të humbasim shansin historik për shkak të kësaj, i cili nuk do të na shfaqet përsëri për një kohë të gjatë. Megjithatë shpresoj se nuk do të ndodhë,”- tha Brnabiç.