Vajzat afgane duan të shkollohen, talibanët lejojnë në shkollat e mesme vetëm meshkuj
Qeveria talibane me interpretimin e saj ndryshe të Islamit, nuk po i lejon vajzat afgane të mësojnë si më parë në shkollat e mesme, as në kryeqytetin Kabul. Në vend mbetet frika se të drejtat e grave kanë për t'u shkelur nga talibanët siç vepruan përpara 2001-it.
Kur ISIS-i sulmoi në muajin maj një shkollë për vajzat në Afganistan, Amena Amin pa se si dhjetëra shoqe të sajat iu vranë para syve, megjithatë sulmi nuk ia hoqi asaj dëshirën për shkollimin.
Tashmë, si shumicës së vajzave afgane, regjimi taliban ia ka ndaluar rikthimin në bankat e gjimnazit.
Viti akademik po zhvillohet vetëm me mësuesit meshkuj dhe djemtë mbi 13 vjeç, ndërsa vajzat nuk lejohen për arsye sigurie dhe prej rregullit që i detyron të mësojnë veç nga meshkujt.
"Ndjehem keq kur shoh djemtë që shkojnë në shkollë dhe vajzat, jo. Pse të mos studiojmë? A nuk jemi pjesë e shoqërisë? Nga dallojmë. Edhe vajzat kanë të drejtën për një të ardhme plot shpresë," thotë 16-vjeçarja.
Motrat dhe vëllezërit e inkurajojnë Amenën që të vazhdojë të studiojë në shtëpi për t'u bërë dikush në jetë. I trishtuar është edhe babai i saj.
"Nëse nuk i lënë të mësojnë do u shkatërrohet jeta. Kam punuar fort për vite që t'i arsimoja, që të fitonin dituri, por tani kjo s'mund të ndodhë."
Disa qytete afgane raportojnë për një kthim të vajzave në shkollat e mesme.
Shkollat fillore janë të hapura për të gjithë dhe gratë po lejohet të studiojnë në universitetet private, por me shumë kufizime në veshjen dhe lëvizjet e tyre.
"Njerëzit e kanë pritur ardhjen e talibanëve me vuajtje shoqërore e mendore. Tani gjithçka është e pasigurt. Situata ka ulur moralin tonë si mësues dhe të nxënësve. Jemi të pamotivuar."
Shkollimi i grave afgane pësoi rritje pas vitit 2001 kur ushtritë e huaja hoqën talibanët nga pushteti, por fushata pati më shumë sukses në qytetet e vendit me rreth 39 milionë banorë.
UNICEF-i, Fondi i OKB-së për Fëmijët, tha në fundjavë se ka marrë garanci nga qeveria talibane se do ketë një kuadër të ri ligjor për sa i përket kthimit të vajzave afgane në shkollat e mesme.
