ITA ruan markën Alitalia për 90 milionë euro, Shqipëria mes 45 destinacioneve të fluturimit

Pas 74 vitesh punë, kompania kombëtare ajrore italiane Alitalia, kreu mbrëmjen e të enjtes, 14 tetor,  fluturimin e saj të fundit.

Fjalë emocionuese janë përcjellë për udhëtarët e këtij fluturimi, nga komandanti Andrea Goia që drejtoj mbrëmë avionin e fundit nën markën Alitalia me numër AZ1586 Cagliari-Roma.

"Një udhëtim historik"është shprehur komandanti. Qe një nder e privilegj të jem pjesë e Alitalia që nisi fluturimin e parë më 1947 e ndërtoj një histori të lavdishme të ekselencës absolute aeronautike." 

Pas shumë vitesh krizë financiare, marka Alitalia i është shitur për 90 milionë euro, kompanisë së re me siglën ITA, Italia Trasport Aereo, shoqëri aksionere e themeluar më 11 nënor 2020 nga qeveria italiane e në zotërim 100% nga Ministria Italiane e Transportit.

Kompania e re u krijua për të adoptuar për Italinë një shoqëri ajrore kombëtare pas përfundimit të afatit të Komisariatit të jashtëzakonshëm për menaxhimin e Alitalia-s e cila prej mesit të viteve '90 kishte hyrë në krizë financiare që u thellua pas viteve 2000. 

Në vitin 2009 Alitalia privatizohet nga një grup sipërmarrësish italianë e Holding franko-hollandeze Air France-KLM, e mungesa e rikapitalizimit të kësaj të fundit bëri që në 2014 t'i shesë 15% të kuotave kompanisë Poste Italiane.

Më 1 janar 2015 Alitalia u ble nga kompania ajrore e Emiratave të Bashkuara Etihad Airëays me 49% të kuotave. E më 2017 thellimi i krizës financiare çoi në një asamble të jashtëzakonshme të punonjësve, që nxori jashtë menaxhimit kompaninë Etihad e të gjithë ortakët në minorancë të saj. 

Pas këtij momenti kompania hyri në fazën e një administrimi nën një komisariat të jashtëzakonshëm të qeverisë, afati i të cilit mori fund e kërkoi krijimin e kompanisë së re ITA.

Kompania e re ajrore e flamurit italian do të ketë një  kapital  prej 700 milionë euro, një flotë me 52 avionë, e 2800 punonjës, kundrejt 11 mijë të punësuar që kishte Alitalia.

Prej 15 tetorit 2021, ITA ka nisur fluturimet në 45 vende mes të cilave dhe Shqipëria.