Shefi i Pentagonit vizitë në Europë për rrezikun rus, takim me liderët e vendeve që lagen nga Deti i Zi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të zbresë këtë fundjavë në Europë për të takuar liderët e Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Rumanisë, vende që lagen nga deti i Zi. Rritja e rrezikut rus në këtë rajon është në qendër të diskutimeve. Ndërkohë, do të ketë edhe një takim me homologët e NATO-s në Bruksel.

Shefi i Pentagonit Lloyd Austin do të jetë këtë fundjavë në Europë për t’u takuar me liderat e Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Rumanisë që lagen nga Deti i Zi.

"Departamenti i Mbrojtjes mbështet me vendosmëri aleatët dhe partnerët e tij evropianë përballë veprimeve destabilizuese të Rusisë në rajonin kritik të Detit të Zi” – shkruan në njoftim Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Më herët forcat e NATO-s kanë zhvilluar një stërvitje masive në Detin e Zi, të emërtuar “Sea Breeze”.

Deti i Zi është pjesë lindore e Detit Mesdhe dhe shtrihet mes Europës dhe Azisë. Me detin Marmara ai lidhet nëpërmjet ngushticës së Bosforit, ndërsa me detin Azov me ngushticen Kerčki. Shtetet në brigjet e Detit të Zi janë Bullgaria,Gjeorgjia,Rumania, Rusia,Ukraina dhe Turqia.

 Deti i Zi, nuk ka pasur deri vonë ndonjë rëndësi të madhe gjeopolitike, por për ekspertët ky rajon po kthehet në i rrezikshëm, sepse ka nisur një konfrontim mes Rusisë dhe Perëndimit.

Rusia pretendon tradicionalisht të drejtën politike dhe ushtarake në rajonin e Detit të Zi.

Pas një incidenti me një luftëanije britanike pak muaj më parë, rusët njoftuan se do të  sulmojnë ushtarakisht shkelësit e ujërave territoriale të saj, nëse paralajmërimet nuk mjaftojnë.

Takimet e shefit të Pentagonit, që Amerika është njëherazi edhe vendi kryesor në NATO, është një tregues për rigjallërimin e aleancave euro amerikane, teksa pësuan një regres nën administratën Trump.

Në Gjeorgji, Ukrainë dhe Rumani Austin do të takohet me liderët vendas, ndërsa do të marrë pjesë më pas në një takim në Bruksel me homologët e tij në NATO, për të siguruar që aleanca "është e përgatitur për sfidat e së ardhmes".

Ish-presidenti rumun, Traian Basescu e kishte paralajmëruar Perëndimin që në vitin 2005 për planet ruse në rajonin e Detit të Zi.

Në një fjalim në SHBA, Basescu tha:

"Deti i Zi trajtohet [nga Rusia] prej shekujsh si një det rus, nuk e keni kuptuar këtë?"

Asokohe kjo deklaratë shkaktoi shumë polemika, por ngjan se koha i ka dhënë të drejtë ish-presidentit rumun.