I akuzuar për korrupsion në zgjedhje, lihet në arrest shtëpie kandidati i LSI për deputet Etjon Joka
Një ditë pas arrestimit me akuzën e blerjes së votave kandidati i LSI në zgjedhjet e 25 prillit Eltion Joka është lënë i lirë nga Gjykata e Posaçme në Tiranë. Kjo e fundit caktoi ndaj tij masën arrest shtëpie ndërkohë që SPAK, i qëndroi mendimit se i pandehuri duhet të mbahej në paraburgim pasi për 8 muaj i ishte shmangur arrestimit.
Gjykata e Posaçme ka liruar nga paraburgimi ish kandidatin e LSI në zgjedhjet e 25 prillit, Eltion Joka, një ditë pas arrestimit nga policia me akuzën e blerjes së votave.
pamjet ku 32 vjeçari u filmua duke i dhënë qytetarëve 100 dollarë në këmbim të votës u publikuan dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Por pavarësisht, kësaj ai nuk u tërhoq nga gara. Madje sipas tabelës përfundimtare të KQZ arriti të merrte 320 vota në kryeqytet
Të shtunën më 16 tetor policia njoftoi arrestimin e ish kandidatit i cili prej tetë muajsh ishte në kërkim pasi gjykata, me kërkesë të SPAK, kishte vendosur masën arrest me burg në mungesë.
Por një ditë pas arrestimit, ish kandidati ka dalë në gjykatë për njoftimin e masës së sigurisë që ishte vendosur ndaj tij në momentin e shpalljes në kërkim.
Gjatë seancës, mësohet se SPAK i ka qëndruar kërkesës për arrest me burg ndaj të pandehurit, ndërkohë që avokati i tij ka kërkuar një masë më të lehtë për shkak se i akuzuari Eltion Joka duhet të kujdeset për një fëmijë të mitur.
Gjykata pasi ka shqyrtuar kërkesat e palëve ka vendosur lënien e të pandehurit në arrest shtëpie duke rrëzuar kështu kërkesën e SPAK.
Hetimet ndaj tij nisën pas një videoje të publikuar nga një emision investigativ, ku ish kandidati i LSI, Joka shihet teksa bisedon edhe me një qytetar që thotë se ka bërë 100 vota, duke përfshirë edhe 12 që i ka bërë gruaja e tij. Etjon Joka, kandidoi në siglën e LSI në tiranë në Njësinë nr. 1.
