Pallatet pa dalje emergjence, neglizhenca në ndërtimet e reja e bën të pamundur shpëtimin nga zjarri
Ndërtimet në Tiranë shumë pak i plotësojnë kriteret e ndërtimit, në veçanti ato që kanë të bëjnë me daljen emergjente. Gjatë një vëzhgimi të bërë nga Ora News u konstatua se në shumë raste pallatet nuk kanë dalje apo emergjente për shpëtimin e banorëve në raste zjarri. Por shqetësuese është që dhe pse ky kriter nuk respektohet institucionet heshtin.
Ky është shembulli që çdo pallat do të duhet të kishte. Me dalje emergjence dhe dalje në rast zjarri. Ndërtuesit janë siguruar që të marrin të gjitha masat mbrojtëse nga zjarri nëpërmjet shkallëve të jashtme emergjente.
Gjatë një vëzhgimi që Ora News bëri në kryeqytet konstatoi se ligji 8766 neni 27 pika 2 nuk zbatohet.
Pothuajse në të gjitha pallatet nuk ka dalje apo shkallë emergjence për shpëtimin e banorëve në raste zjarri.
Në ligj thuhet se të gjitha llojet e ndërtimitduhet të përfshijnë edhe projektin e mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtimin.
Edhe pse të domosdoshme, asnjë nga institucionet përkatëse nuk e ka marrë seriozisht këtë elemet sigurie që jo rrallë herë ka shkaktuar viktima.
Problemi fillon që nga Bashkia Tiranë që miraton leje pa kriterin e sigurisë, e më pas tek shërbimi zjarrfikës pasi sipas ligji 8766 neni 31 ky institucion ka të drejtë të ndalojë funksionimin e objektit deri në plotësimin e kërkesave, madje në rast të shkeljeve ka të drejtë të gjobisë investitorin apo shoqërinë ndërtuese.
