Beton te dritarja e hotelit, pronari në Sarandë denoncon një ndërtim sipas tij pa leje

Pak metra nga dritarja e Hotelit të Erion Beqirit në Sarandë, po ndërtohet një tjetër objekt. Zhurmat e punimeve shoqërojnë turistët që zgjedhin të pushojnë aty, duke bërë që të mos qëndrojnë gjatë.

Pronari i hotelit pretendon se ndërtimi ngjitur me të është pa leje.

"E ka pasur lejen për 5 kate. Nga 5 kate e bëri me 7, nga 7 e bëri me 8 kate. Po na mbytin, po na zënë frymë. Nuk kanë zbatuar asnjë lloj urbanistike."

Ai shprehet se është ankuar në të gjitha institucionet po nuk ka marrë deri më tani jo vetëm zgjidhje, por as përgjigje.

"Shkoj në Bashki, në IKMT nuk më përgjigjet asnjeri. Aktualisht jemi në Gjykatën Administrative. Për sa kohë jemi në Gjykatën Administrative ata nuk duhet të bëjnë asnjë lloj punimi."

Për shkak të kësaj situate ai thotë se turistët kanë shprehur disa herë ankesa.

"Kur vinin klientë iknin, sepse shikonin që ata bënin punime."

Beqiri pretendon gjithashtu se është duke u kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme nga pronarët e objektit tjetër për shkak të veprimeve ligjore që po ndërmerr.  I shqetësuar përmes medias ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve.