Qeveria nxori projekt-draftin, Daci: Shqipëria ka thyer rëndë rregullat e Venecias, ja skenaret për Presidentin
Klasa politike shqiptare është ende në pritje të draftit përfundimtar të Venecias për zgjehdjet lokale të 30 qershorit 2019, përkundër projekt-draftit të Komisionit që u bë publik nga qeveria.
Juristi, Jordan Daci, i cili përfaqëson palën paditëse në këtë proces, Shoqatën e Bashkive, është i bindur se do të ketë ndryshime rrënjësore.
Daci: Pasi të dalë varianti përfundimtar i cili jam i bindur se do të ndryshojë terësisht, ndoshta në një pjesë të madhe atë çfarë ka lexuar publiku nëse në të vërtetë ekziston një draft i tillë. Do ti duhet disa ditë kohë që pasi të marrë draftin ta përkthejë dhe t'ua komunikojë palëve të përkthyer dhe në origjinal. Kjo ndoshta do një javë ose 10 ditë kohë.Pastaj mbetet vetëm caktimi i seancës së radhës që është e fundit.
Sipas projekt-draftit, Kushtetuesja nuk ka kompetenca për të shqyrtuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
Daci për Ora News me gazetaren Siklajda Shorja thotë se ky përfundim nuk legjitimon nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit, teksa parashtron dhe skenaret e mundshme.
Daci: Janë dy çështje që lidhen deri diku por lidhen fare pak. Me të vërtetë akuza ndaj presidentit është për këtë çështje por nga ana tjetër nuk lidhet vetëm me këtë. Për zgjedhjet nga Venecia u dha përgjigje që nuk hyn te shkeljet e rënda dhe kjo ishte arsyeja pse u pushua.
Sa i përket shkarkimit të presidentit mundësitë më të mëdhaja janë që të mos pranohet kërkesa dhe një mundësi tjetër është që meqenëse zgjati shumë kjo pjesa paraprake, kanë kaluar më shumë se tre muaj, kuadri ligjor sa i përket gjykimit të kësaj çështje është i ndryshëm, ka vetëm tre nene. Vetë gjykata nuk ju nënshtrua afateve të zakonshme prej 3 muajsh për të gjykuar çështjen. Duke pasur parasysh natyrën e çështjes dhe si do pozicionohen palët në këtë proces një variant është të mos pranohet dhe ka shumë gjasa që të ndodhë.
Në mendimin tim presidenti nuk ka kryer shkelje nga ato që parashikon Kushtetuta për shkarkimin e tij, edhe nëse do të kemi shkelje do të jenë shkelje të lehta dhe për rrjedhojë nuk çojnë në shkarkim të tij. Dhe një variant tjetër që nuk është i pamundur është se do të zgjasë aq shumë gjykimi sa do të përfundojë vetëvetiu mandati i presidentit para se të kemi një vendim të gjykatës Kushtetuese. Gjithë variantet janë të mundshme por varianti më i mundshëm është i pari. Varianti që mund të shkarkohet presidenti për mua është pothuajse i pamundur duke ju referuar akuzës, hetimit që ka bërë Kuvendit që është një proces krejtësisht politik.

Por sa fajtore është opozita për bojkotin e zgjedhjeve?
Daci: Një ndër çështjet që komplikon dhe çështjen e zgjedhjeve vendore në Kushtetuese është çështja e ndikimit që mund të kishte një precedent i mundshëm, që për mua është shumë i mundshëm, i pranimit të kërkesës, a do të nxiste kjo shfaqje të ngjashme në të ardhmen? Kushtetuesja nuk mund të komandojë partitë politike për të marrë pjesë apo për të mos marrë pjesë në zgjedhje.Misioni i Kushtetueses është të japë drejtësinë kushtetuese dhe nuk i intereson fare se çfarë ndikimi politik ka. Sigurisht, të gjithë ne duhet të jemi kundër çdo fenomeni bojkoti, por çështja e sjelljes së partive politike kërkon një ndryshim tjetër.
Siç po bëjmë vettingun në gjykata, për mua vettingu më i rëndësishëm ka qenë në partitë politike. Sido të dalë rezultati i gjykatës Kushtetuese për mendimin tim shqyrtimi dhe dhënia e vendimit përkundrazi do të heqë mundësinë e përsëritjes. Ajo që ndodhi, ndodhi për shkak të shumë hapësirave ligjore që hanin interpretim. Zgjidhja e kësaj çështje në mënyrë përfundimtare zhduk debatin dhe zgjidh përfundimisht ato çështje që u përdorën për të ardhur në këtë situatë. Opozita në atë kohë ishte e detyruar për të ndërmarrë bojkotin por nuk ishte zgjedhja e duhur.
Duke mbetur të draft-projekti, juristi Daci thotë se Shqipëria ka bërë një shërbim shumë të keq dhe ka thyer rëndë rregullat e Komisionit të Venecias duke nxjerrë projekt-drafte të kufizuara për publikun.
Daci: Nëse do të isha në Komisionin e Venecias do ti propozoja Komisionit të ndërpriste bashkëpunimin me Shqipërinë derisa Shqipëria të sillej si një shtet serioz që respekton rregullat e këtij Komisioni. Edhe publikimi që ju bë projekt-draftit, nëse ekziston një i tillë, sepse ai është shpërndarë para se ta kishin anëtarët e Komisionit të Venecias.
Nuk e di nëse drafti është në atë formë apo është bërë nga dikush dhe është nxjerrë në atë formë. Gjithë qëllimi ishte për të vënë Venecian përballë faktit të kryer, një taktikë e përdorur nga qeveria. Është një shkelje shumë e rëndë që cënon integritetin e Komisionit të Venecias. Komisioni duke mos e ngritur këtë problem i bie të bëhet pjesë e lojës së ndyrë politike që karakterizon Shqipërinë në këto 30 vite.
