Kacifas, përplas gjykatën me prokurorinë. Gjykata: Hetim i paplotë, duhet eksperiment, s’dihet se me cilën armë u vetëvra
Një nga dosjet më të rëndësishme që ndodhet në prokurorinë e Gjirokastrës, siç është ajo e vrasjes së ekstremistit grek në Bularat, Kostandin Kacifas, vijon të zvarritet nga gjykata dhe prokuroria e këtij rrethi, duke mos dalë në një konkluzion përfundimtar.
Megjithëse, nga ekspertët mjeko-ligjorë dhe ata balistikë, është dalë në konkluzionin se Kostandin Kacifas, në 28 Tetor 2018, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë, sërish prokurori Julian Çafka dhe gjykatësja Suela Dashi, nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët, për të mbyllur këtë dosje.
Një përplasje mendimesh juridike mes dy magjistratëve të njohur, që duket se nuk janë të qetë nga influencat e jashtme.
Nga njëra anë, prokurori Çafka qysh prej muajit Maj 2021, ka pretenduar se dosja duhet të mbyllet pasi kemi të bëjmë me një vetëvrasje të viktimës dhe jo vrasjen e Kacifas nga forcat policore RENEA.
Ndërsa nga ana tjetër, kemi gjyqtaren e Gjirokastrës, Suela Dashi, që ndryshe nga çfarë ka dalë në përfundim prokurori, nuk pranon të pushojë dosjen hetimore me Nr.824, raporton Ora News.
Por përkundrazi, në 27 Maj 2021, gjyqtarja ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë, duke argumentuar se hetimi për nxjerrjen e rrethanave të vdekjes së Kostandin Kacifasit,është i paplotë dhe paraqet mangësi e paqartësi.
"Ora News” mëson se gjyqtarja Dashi, shprehet se në dosje evidentohet mungesa e paraqitjes skematike, sistematike dhe kronologjike të veprimeve të kryera nga viktima. Njëherësh ka mungesë të arsyeve shkencore për të cilat nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi kalibri dhe modeli i armës, nga e cila ka gjetur vdekjen viktima. Gjithashtu, ka mungesë të konkluzioneve të qarta në aktet e ekspertimit të urdhëruara nga prokurori.
Nisur nga kjo situatë gjyqtarja, ka vendosur të kthejë mbrapsht hetimet, duke i lënë 3 muaj kohë prokurorit Çafka që të përmbushë detyrat hetimore. Në këto 3 muaj, prokurori Çafka duhet të kryente 4 detyra që janë pasqyrimi skematik i vendit të ngjarjes dhe evidentimi i provave materiale në vendngjarje, kryerja e ekspertimeve shtesë në raport me aktet e ekspertimit të ndodhura në dosjen hetimore, realizimi i eksperimentit hetimor me qëllim ndërtimin e vendngjarjes.
Si dhe detyra e katërt ishte që ai tu njoftojë palëve të interesuara aktet e ekspertimit. Pranë vendit ku është gjendur trupi i pajetë i Kacifasit, policia ka sekuestruar një armë automatike me dylbi dhe rreth 30 gëzhoja.
Gjyqtarja Dashi, shprehet se ekspertët balistikë nuk kanë dhënë një arsye shkencore ku të përcaktohet me saktësi modeli i armës, që ka sjellë vdekjen e Kacifasit.Por teksa ky afat ka përfunduar në fund të muajit Gusht 2021, dhe prokuroria nuk ka mundur ti përbushë detyrat e lëna nga gjykata, është sërish prokuroria që i drejtohet gjykatës me një kërkesë të dytë. Në muajin shtator 2021, prokurori Julian Çafka kërkoi në gjykatë zgjatjen me dy muaj të afateve hetimore për dosjen e Kacifasit, me argumentin e përmbushjes së 4 detyrave të lëna nga gjykata, raporton Ora News.
Kjo kërkesë e bërë nga prokurori, është miratuar nga gjykata në datën 30 shtator 2021, duke shtyrë afatin hetimor, tej çdo parashikimi të mundshëm, dhe caktuar si afat të fundit të zhvillimit të seancës paraprake, datën 13 dhjetor 2021 në orën 11:00.
Ndërsa vetë ngjarja e Bularatit në datën 28 Tetor 2021 hyn në vitin e tretë që ka ndodhur dhe ende pas kësaj kohe prokuroria dhe gjykata e Gjirokastrës nuk kanë dalë me një vendim final për këtë çështje.

