"Kërkoi ndihmë për 40 minuta" Tragjedia në Astir, fqinjët: 62-vjeçarja kishte dalë por u kthye për të shpëtuar djalin e saj
Fqinjët e 62-vjeçares fatkeqe që u hodh nga kati i tretë, pasi apartamenti u përfshi nga flakët tregojnë për Ora News se e moshuara kishte dalë nga banesa, por u kthye përsëri për të shpëtuar të birin, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
"Mbrëmë ishte duke shpëtuar, por hyri prapë që të merrte djalin, sepse ai nuk dilte, kishte frikë nga policia", tha një banore.
Gazetarja e Ora News, Keti Banushi, raporton se sipas banorëve 62-vjeçarja Hava Osmënaj ka dalë në ballkon dhe ka kërkuar ndihmë për 40 minuta, por banorët nuk kanë mundur ta ndihmojnë, ndoshta për shkak të pamundësisë së tyre.

Si rrjedhojë ajo bashkë me të birin u hodhën nga kati i tretë.
Mësohet se zjarrfikësja dhe ambulanca kanë mbërritur me vonesë në vendngjarje.
Përfaqësuesi i zjarrfikësve thotë se incidenti konsiderohet si zjarrëvënie nga 36-vjeçari Klodjan Osmënaj, i cili sipas dëshmive të fqinjëve vuante nga probleme të shëndetit mendor.
"Nga të dhënat paraprake që kemi këtu kemi një zjarrëvënie nga djali i shtëpisë, që vuante nga probleme të shëndetit mendor", tha përfaqësuesi.

36-vjeçari ka pasur probleme dhe herë të tjera dhe ka shqetësuar disa herë banorët.
Sipas banorëve, ata kanë njoftuar disa herë policinë.
Gjithashtu ata tregojnë se para ngjarjes ka pasur një grindje mes nënës dhe djalit, dhe më pas në kushte të rënda psikologjike dyshohet se Klodjan Osmënaj i ka vendosur zjarrin banesës.


