Qendruan më shumë seç duhej në sauna / Detaje të reja nga tragjedia e familjes ruse në Kavajë, ja kush i gjeti të vdekur

Katër turistë rusë humbën jetën në Kavajë mbrëmjen e së premtes në një hotel ku kishin vendosur të kalonin pushimet. Viktimat, familjarë me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vdekur për shkak të asfiksisë në sauna.

Katër turistë rusë u gjetën pa jetë pak para mesnatës së të shtunës  në një hotel në Kavajë.

Shtetasit e huaj kishin ardhur në vendin tonë për të kaluar pushimet rreth një javë më parë, ndërsa ishin vendosur në një kompleks në vijën bregdetare.

Bashkëshortët Natalia e Sergei Burenkova 58 dhe 60 vjeç, dhe bija e tyre Ekaterina Burenkova, 31-vjeçare së bashku me bashëshortin e saj Nikita Belousov, 37 vjeç janë viktimat e kësaj ngjarje tragjike.

Në një njoftim paraprak për media, policia ka deklaruar se dyshohet qe vdekja e rusëve ka ardhur për shkak të asfiksisë, ndërsa mbeten mister të tjera detaje na kjo ngjarje e rëndë.

Ka qenë recepsionisti i hotelit, i cili ka konstatuar i pari trupat e pajetë mbrenda saunës, i cili ka dhënë edhe deklaratën në polici.

"Iu thirra disa herë se pijet dhe frutat ishin gati.Pasi nuk mu përgjigj njeri hyra brenda në sauna dhe i pashë të katërt, nuk mu përgjigjën. Njëri ishte i shtrirë në shezlong, dy në stol dhe një tjetër ulur me këmbët në pishinë. Ishin të asfiksuar” .

Nga burimet jo zyrtare thuhet se të 4 personat mund të kenë qëndruar në sauna më shume se sa lejohet, ndërsa ekspertiza mjekoligjore do të tregojë nëse ata kishin konsumuar alkool ose lëndë narkotike, të cilat mund të kenë ndikuar në asfiksinë.

Burimet saktësojnë se 4 personat kanë hyrë në saunë në katin e nëndheshëm të hotelit, rreth orës 20:30 minuta, ndërsa nga dy vizita që kanë bërë stafi ata nuk kanë shfaqur shqetësime.

Prokuroria e Kavajës po heton ngjarjen, ndërsa në pyetje janë marrë të gjithë pjesëtarët e stafit të hotelit që ndodheshin në punë në momentin e ngjarjes.

Instituti i Mjekësisë Ligjore po kryen ekspertizën e trupave të pajetë për të zbardhur shkakun e vdekjes së tyre, ndërsa mësohet se po zhvillohen edhe ekspertiza për analizat bakteriologjike të ambienteve të saunës së hotelit.

Ambasada e Rusisë së vendin tonë ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të jetë pjesë e procesit të ekspertizës.