Interes i ulët për vaksinimin/ Studentët kërkojnë Pfizer, Universitetet: Të pavaksinuarit nuk futen në auditore

Rreth 11 studentë në ditë vaksinohen në qendrat e vaksinimit në universitetet e Tiranës. Të rinjtë kërkojnë më së shumti të kryejnë dozën e Pfizer, ndërkohë që në fakultete ofrohen vetëm AstraZeneca dhe Sinovac.

Në pikat e vaksinimit në universitet numri i të interesuarve është i ulët, por edhe të rinjtë që kërkojnë të marrin dozën anticovid kërkojnë Pfizer.

Sipas një monitorimi në fakultetin e ekonomikut, drejtësisë dhe shkencave sociale në ditë mund të kryhen 7-11 vaksina.

Mes tyre ka të shumtë që interesohen për Pfizer, ndaj drejtohen për te mjeku i familjes.

"Ajo më duket më e mira, më e besueshme. Është dhe gjermane, dhe për të lëvizur jashtë."

Veç studentëve, këto pika ofrojnë shërbim edhe për stafet pedagogjike. Disa prej tyre e kanë shtyrë vaksinimin për shkak se nuk kishin plotësuar kohën e shërimit nga infektimi.

"Kam kaluar Covid, prita sa kalova 6 muaj dhe tani më takon ta bëj për të mbrojtur veten, fëmijët, prindërit, të gjithë."

Pavarësisht interesimit të ulët, të hënën do të zbatohet urdhri i ministrisë, të pavaksinuarit nuk do të lejohen në auditore.

"Normalisht, përderisa ky është vendimi. Ata që janë vaksinuar e kanë ngarkuar tek një pyetësor që ne e kemi hedhur në faqen e Fakultetit, personat që nuk i lejohet të vaksinohen kanë ardhur me shënimin e mjekut të familjes për arsyen që pse nuk duhen të vaksinohen. Të tjerëve ja kemi bërë të qartë, të paktën ky është vendimi deri tani."

Ende nuk ka shifra zyrtare se sa studentë kanë marrë dozën anticovid, ndërsa ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se rreth 30% e të rinjve kanë marrë mbrojtjen e nevojshme ndaj virusit vdekjeprurës.

 

/OraNews/