Skandal/ Vidhen në zyrat e Vlorës 2 dosje pronash. Njëra për tokë bregdeti nën hetim, tjetra origjinale

Një dosje për abuzimet me tokat në bregdet dhe një tjetër për zaptimin e sipërfaqeve në një fshat të Vlorës mësohet se janë zhdukur nga Zyrat e Këshillit të Qarkut që u vodh me thyerje gjatë natës. Dosja e tokave të bregdet mësohet se është nën hetim nga prokuroria, ndërsa ajo e tokave në fshat ka qenë origjinale.

Dokumente të pronave në fshatin turistik të Dhërmiut, mësohet se janë marrë nga Zyrat e Këshillit të Qarkut Vlorë që u vodh me thyerje gjatë natës.

Burimet thonë se një material për tokat në bregdet ka qenë nën hetim nga prokuroria me dyshimin për abuzime, ndërsa tjetri është në proces gjyqësor për zaptim të pronës.

Dosjet ruheshin në zyrën e pronave dhe Mbrojtjes së Tokës në institucionin e Këshillit të Qarkut, fakt që sipas dinamikës së vjedhjes ka qenë i njohur për autorin.

Ai ka qenë një person i vetëm sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, i maskuar dhe i armatosur.

Hajduti ka hyrë në godinë duke thyer një dritare, më pas i është drejtuar dy zyrave ku ka marrë dokumentet e kërkuara.

Në largim, autori është pikasur nga roja i sigurisë, të cilin sipas dëshmisë e ka kërcënuar me armë zjarri dhe më pas është larguar nga dera kryesore e institucionit që ndodhet në godinën e Pallatit të Kulturës.

Shef i zyrës së Administrimit të Tokave pranë qarkut Vlorë, tha se pas vjedhjes ata po bëjnë inventarizim të dokumenteve me rëndësi që mbahen aty.

Ekspertët e policisë së Vlorës ndërkohë sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë dhe kqyrën zyrat e thyera në kërkim të provave që mund të çojnë tek autori.

Vlora është një prej zonave më të nxehta me konflikte për çështjet e pronësisë.

Ndërsa Kadastra ka qenë në vazhdimësi në qendër të vëmendjes për shkak të lëvizjesve të vazhdueshme të drejtuesve dhe ankesave për regjistrimin e pronave në bregdet.