Rama konsultim me të rinjtë në Shkodër: Do fuqizojmë mësimin mbi teknologjinë dhe gjuhën e kodimit

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një konsultim publik me nxënësit e 5 gjimnazeve në Shkodër, lidhur me hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Shqetësimet kryesore që u ngritën ishin rreth bursave, kurikulave dhe mungesës së teknologjisë.

Rama u shpreh se teknologjia do të jetë me prioritet në sistemin e arsimit pasi tregu i punësimit krijon kushte dhe mundësi më të mëdha në këtë fushë.

Kryeministri Rama u ndal te digjitalizimi dhe te kushtet e të mësuarit të informatikës sot në shkolla, ku theksoi se laboratorët e informatikës nuk janë në nivelin e duhur.

“Nuk ju them asgjë të re po t’u them se mësimi i informatikës është mekanik dhe teorik. Edhe aty ku laboratorët janë të plotësuar me kompjuter, procesi i praktikës lë për të dëshiruar. Besoj shumë se një nga arsyet që ne kemi një boshllëk të rëndësishëm në ofertën e punës për të rinjtë sot është mungesa e dijes për të pasur punë të paguar më mirë”, tha kryeministri.

Për Kryeministrin Rama, këto dije hapin një perspektivë të jashtëzakonshme në raport me të ardhmen dhe punësimin, duke u dhënë të rinjve një pavarësi të madhe për shkak se tregu i teknologjisë është i pakufishëm.

“Ti nuk ke nevojë të lëvizësh nga shtëpia, mjafton të kesh dijet për të hyrë në një treg që është i pakufishëm, që është tregu i gjithë botës, përmes kompjuterit, duke zotëruar disa ide specifike.

Ka plot vajza e djem që pa lëvizur nga shtëpia punojnë në një treg jashtë vendit dhe paguhen shumë mirë. Për këtë kanë disa dije ekstra. Ne duam të punojmë shumë në këtë drejtim, me programe të veçanta intensive të ofruara për të rinjtë në mosha relativisht të reja, për të marrë njohuri brenda një harku kohe jo të gjatë, krahasuar me kohën normale në të cilën merren këto njohuri.

Ne kemi krijuar kanalet tona për të vënë në funksion, për t’i kaluar të rinjve njohuritë mbi gjuhën e kodimit dhe për të pasur sa më shumë kodues, sa më shumë vajza e djem që njohin gjuhën e kodimit, që është njëlloj si të njohësh një gjuhë të huaj për të komunikuar me një botë tjetër,” deklaroi Rama.