Basha: Brenda javës kallëzojmë në SPAK aferën e energjisë elektrike, Rama peng i krimit të organizuar

Nga selia blu, në një prononcim për media, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se paratë e buxhetit të shteti po shkojnë për afera korruptive.

Basha theksoi se faktet janë aty dhe SPAK duhet të veprojë dhe duke shtuar se do të dorëzojnë edhe një kallëzim brenda javës në këtë institucion.

Basha: Paratë e buxhetit shkojnë për afera korruptive. Më e madhja që lidhet me këtë krizë është ajo që përmenda. E kanë shitur më lirë dhe duan që ta blejnë me 3-fish më të lartë çmimin. Shihni sa hipokrit dhe tallës janë. Dalin dhe thonë që ulja e TVSH-së nuk ul çmimin, ndërkohë për oligarkët e kanë hequr TVSH-së. Për oligarkët e kanë hequr TVSH e jahteve. Oligarkëve iu bën punë, të varfërve jo. Ai qëndron në atë poltron si peng i krimit të organizuar. Ne kemi shpalosur para jush që prej janarit të këtij viti 1 plan të detajuar për të nxjerrë vendin nga kriza. Një pjesë e këtij plani ka të bëjë me energjinë. Ne do të vazhdojmë me të gjitha format dhe mënyrat që të bëjmë punën tonë karshi shqiptarëve. Do vëmë gishtin në plagët që janë shkaktuar dhe duke mbështetur me të gjitha format dhe mënyrat duke nxitur dhe inkurajuar format e reagimit qytetar.

Faktet janë publike, ne do të sjellim kallëzimin në SPAK brenda kësaj jave, thjesht dhe vetëm për t’iu hequr çdo alibi atyre që kërkojnë alibi. Ata që paguhen me rroga të larta nga taksapaguesit shqiptarë, që iu paguhen fluturimet në Amerikë dhe në vende të tjera të Evropës për t’u trajnuar sipas praktikave bashkëkohore të FBI-së apo drejtësisë evropiane apo amerikane; që mbajnë pas vetes eskorta të shtrenjta oficerësh të gardës; që iu paguhet celulari, nuk janë aty për asgjë tjetër, përveçse për të bërë detyrën e tyre para taksapaguesve shqiptarë. Ta kuptojnë në çdo minutë që janë të rrethuar nga komoditeti i zyrës dhe i favoreve të zyrës se ajo zyrë është krijuar për një funksion, për t’i dhënë fund pandëshkueshmerisë dhe për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë që abuzojnë me pushtetin dhe që vjedhin pasuritë e shqiptarëve.