KLGJ shkarkon nga detyra gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi

Kolegji i Lartë Gjyqësor shkarkon nga detyra gjyqtari Roland Hysi. Sot anëtarët e këtij Kolegji pranuan kërkesën e ILD-së Artur Metani për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Fierit dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare të tij.

Hysi u arrestua më 9 janar 2019  për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike’. Po ashtu mbi gjyqtarin rëndon akuza ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të drejtësisë’.

Po kështu ILD I kërkon KLGJ procedim disiplinor ndaj magjistratëve Petrit Alia dhe Nazmi Troka, dy gjyqtarë të Apelit Vlorë.

Ndaj tyre kërkohet procedim disiplinor me masën “ ulje e pagës deri në 40%, deri në 1 vit”

Sipas ILD-së magjistratë me veprimet apo mosveprimet e tyre, nuk kanë zbatuar dhe kanë zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin procedural penal, të konstatuar nga një gjykatë më e lartë.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:

o   Magjistratët P.A. dhe N.T. me veprimet apo mosveprimet e tyre, nuk kanë zbatuar dhe kanë zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin procedural penal, të konstatuar nga një gjykatë më e lartë.

o   Veprimet e dy magjistratëve janë kryer në shkelje të pikës 4 të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale ku parashikohet qartë se për revokimin a zëvendësimin e masës ekzistuese disponon, jo vetëm gjyqtari i hetimit paraprak, por, në varësi të fazës së procedimit, edhe e njëjta gjykatë, pra ajo që shqyrton kërkesën për gjykim dhe zgjidh përfundimisht në themel çështjen.

o   Shkeljet procedurale të kryera nga magjistratët provohen të jenë kryer me dashje direkte. Magjistratët kanë mbajtur një qëndrim në kundërshtim me ligjin në lidhje me kërkesat e prokurorit, të cilat nuk janë shqyrtuar dhe argumentuar në  rrëzimin e kërkesës së prokurorit, sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Duke patur parasysh formimin dhe eksperiencën e tyre të gjatë si gjyqtarë, kanë patur mundësinë të parashikonin pasojat e dëmshme nga veprimet i tyre.Pavarësisht eksperiencës së tyre të gjatë në detyrë, gjyqtarët kanë zbatuar gabim legjislacionin procedural penal, fakt ky i konstatuar nga Gjykata e Lartë.

o   Veprimet e kryera nga ana e dy magjistratëve ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë. Sjellja e gjyqtarëve në kontekstin profesional është shumë e rëndësishme, pikësëpari nga respektimi dhe zbatimi me rigorozitet i ligjit, i rregullave procedurale, të cilat janë të qartë mbi lëndën që rregullon. Zbatimi i tyre nuk është një akt i vullnetshëm dhe i pavarur i magjistratit, i cili zgjedh t`i respektojë apo jo ato, por është detyrim ligjor për magjistratin, i cili ka detyrë funksionale të tij dhënien e drejtësisë.

o   Sjellja e papërshtatshme e magjistratëve subjekt hetimi disiplinor ka cenuar imazhin e drejtësisë dhe ka ulur besimin e publikut tek drejtësia.

o   Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratëve përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore”propozohet KLGJ-së pranimi i kërkesës së ILD-së për caktimin ndaj magjistratit N.T. me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit  Vlorë dhe magjistratit P.A., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit  Vlorë (i pezulluar), i masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit” parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, ndarja “i” dhe neni 108 i ligjit nr. 96.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.