Lirohen farmacistët e kontrabandës, Gjykata lë në “arrest shtëpie” gjashtë të arrestuarit e farmacive

Pronarët e farmacive dhe depove farmaceutike të akuzuar për kontrabandë ilaçesh gjatë pandemisë, janë lënë të lirë nga Gjykata e Tiranës, tri ditë pasi u vendosën në pranga. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për të vendosur  "arrest në shtëpi" për 4 adminstratorët e depove farmaceutike dhe dy bashkëpunëtorët e tyre të akuzuar se kanë tregtuar ilace pa pullë fiskale.

Gjashtë personat e arrestuar për tregtimin e ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë, u lanë në masën “arrest shtëpie” nga gjykata.

Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg, por gjyqtari i masave Kastriot Gramshi, mori parasysh kërkesat e avokatëve për lehtësimin e masave.

Prokuroria e Tiranës akuzon 4 farmaci dhe depo farmaceutike se kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për t’u shitur qytetarëve ilaçe kontrabandë të sjella nga jashtë Shqipërisë.

Denoncimi për rastin është bërë nga qytetarë të cilët kishin blerë ilaçe pa pullë.

Në këtë skemë ishin të përfshirë 4 administratorë të farmacive dhe të depove farmaceutike në Tiranë, të cilët u arrestuan me u ndërkohë që për të vertetuar akuzën ndaj tyre prokuroria kishte kryer edhe blerje të stimuluara.

Të premten me vendim gjykate,  prokuroria ka udhëruar kontrollin në 12 biznese farmaceutike, ku ka gjetur ilaçe të sjella kontrabandë në 6 subjekte dhe menjëherë ka kryer arrestimin e administratorëve dhe sekuestrimin e ilaçeve.

Në pranga ka rënë Blerim Bitri 40 vjeç, Florian Marku 39 vjeç, Florian Lila dhe Bashkim Osmani administrator i një depoje farmaceutike.

Në këtë skemë mashtrimi, 4 të arrestuarit bashkëpunonim me 64-vjeçaren, Margarita Xhaxhiu, e cila dyshohet se i sillte mallrat kontrabandë dhe Jani Papuli, i punësuari i saj.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së Covid-19, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente kontrabandë.

Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.