Gjykata e lë në burg, Thoma Gëllçi: Do jap sqarime pasi të njihem me dosjen. Avokati: Duan t'i ndalojnë rikandidimin në RTSH

Gjykata e Posaçme ka lënë të pandryshuar masat e sigurisë për ish-drejtorin e RTSh-së, Thoma Gëllçi, dhe tre zyrtarËt e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave te akuzuar për shkeljet në tenderin e RTSh Agro. Avokati, Dorian Matlia, për mediat shprehet se e gjithë çështja është e qëllimshme me prapaskenën për të mos i lejuar rikandimin në krye të RTSH-së.

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi, dhe tre zyrtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të  hetimit.

Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, lidhur me shkeljet e konstatuara në tenderin  për pajisjet e kanalit të ri Agro në RTSh.

Gëllçi mbrohej nga avokati Dorjan Matlia, i cili ka pretenduar se akuza e shpërdorimit të detyrës nuk është konpetencë e kësaj gjykate.

Gjithashtu ai ka aluduar se e gjithë çështja ka të bëjë me qëllimin për të mos i lejuar rikandidimin per postin e drejtorit të RTSh.

“Nuk ka lidhje me përzgjedhjen. Hetimi për këtë tender ka filluar në vitin 2019, një nga pikat e padisë është detyrimi I RTSH për të hapur garën. Shpërdorimi i detyrës nuk hetohet nga SPAK, por nga Prokuroria e Tiranës. Ai mund të ndikojë tek prova dhe aim und të largohet jashtë shtetit. Është sekuestruar gjithë dosja e tenderit, nuk ka më asnjë document se cfarë mund të manipulohet. Kemi dorëzuar dosjen. Do t’i drejtohemi Apelit për të ankimuar vendimin”, u shpreh avokati Matlia.

Vetë Gëllçi ka pretenduar në gjykatë se është i gatshëm të japë sqarime pasi të njihet me dosjen.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi, dhe 3 vartësit e tij, u arrestuan pak ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), afro 1 mln dollarë me TVSH.

Në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, të cilët akuzohen për veprën penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim.

E ndërsa, Gëllçi akuzohet për "shpërdorim detyre" se ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi.