Betejë PD-PS për “Bechettin” Basha: Refuzimi i komisionit, për interesa të Ramës e Veliajt, nuk tërhiqemi

Komisioni hetimor për çështjen Becchetti duket se do të kthehet në betejë politike mes mazhorancës dhe opozitës. Pas vendimit të PS për të refuzuar hetimin parlamentar për këtë çështje, kryetari u PD Lulzim Basha tha se opozita nuk tërhiqet. Ai shtoi se refuzimi nuk ka të bëjë me Shqipërinë por frikën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt që janë përgjegjës për humbjen e mbi 100 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve.

Refuzimi i mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Becchetti, sipas kryetarit të PD Lulzim Basha nuk ka lidhje me betejën e Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare por me refuzimin për transparencë në lidhje me këtë çështje.

Basha: Të fshihet dhe të fshehësh dosjen më të madhe korruptive të këtyre 30 viteve, lidhur me Becchettin, është në interesin e Ramës, Veliajt dhe Agaçit. Ta harrojnë se do t’i lejojmë dhe do t’i pranojmë mos aprovimin e këtij komisioni që nuk e dëmton Shqipërinë, por që dëmet të mos bien xhepat e qytetarëve.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë demokratike, Basha hodhi akuza ndaj mazhorancës edhe për krizën energjitike, duke theksuar se ajo më së shumti është shkaktuar nga keqpërdorimet e kësaj qeverie.

Basha: Të enjten do të mbahet seanca plenare e radhës, jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur në vend janë tregues se kemi të bëjmë me një krizë korrupsioni. Një krizë e cila ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 të çmimit që do të blihet tani energjia. E kanë shitur 70 milionë euro dhe do të blejnë mbi 200 milionë euro me borxh nga xhepat e shqiptarëve. Kjo nuk është krizë energjitike, por korrupsioni.

Kryedemokrati është shprehur i vendosur në lidhje me nismat për komisionet hetimore për zgjedhjet e 25 prillit dhe inceneratorët duke thënë se nuk do të lejojë shkeljen e këtyre të drejtave kushtetuese të opozitës nga qeveria.

Basha: Kjo javë do të nisë me një ofensivë që do të ketë në fokus interesin e shqiptarëve. Kjo krizë korrupsioni po maskohet si krizë energjitike. Unë ju ftoj që t’i drejtoni kamerat e mikrofonat te qytetarët e dyqanet. Njerëzit po blejnë me listë si asnjëherë më parë. Pas tellallit të së keqes që doli për krizën, çmimet kanë kapërcyer.