Kriza energjetike/ Kikia: Qeveria të japë më shumë informacion, ‘lufta’ politike të lihet mënjanë
Kryeministri Edi Rama më 9 (Shtator) bëri me dije tre pikat e planit të qeverisë për përballimin e krizës energjetike. Rama tha se OSSHE-së do t’i akordohen plot 200 milionë euro, ndërkohë që nuk do të rritet çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
Gazetari Mentor Kikia në një intervistë për Ora News, u shpreh se qytetarët kanë nevojë për më shumë informacione në lidhje me krizën energjetike.
Kikia theksoi se qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës për krizën por nuk ka shpjeguar se nga erdhi kjo krizë.
Mentor Kikia: Ne si qyetarë kemi më shumë nevojë për informacion që të kuptojmë se sa është kjo krizë dhe sa reale është. Duhet të dimë a kemi të bëjmë me krizë energjitike, apo kemi të bëjmë me një krizë financiare me një pamundësi për të blerë energji në tregun ndërkombëtar. Qeveria është mjaftuar me shpalljen e gjendjes së emergjencës, deklarimin e krizës dhe tashmë ka marrë rolin e shpëtimtarit pa dhënë shumë sqarime se nga erdhi kjo krizë.
I pyetur në lidhje me reagimin e opozitës për situatën, Kikia u shpreh se politika duhet të lërë ‘luftën’ mënjanë dhe të gjejnë zgjidhje për krizën.
Mentor Kikia: Unë mendoj sesi qeveria ashtu dhe opozita, ndërkohë që ofrojnë zgjidhje mbi situatën duhet të japin më shumë argumente. Nëse ka pasur një keqmenaxhim të situatës energjitike, pra të sasisë së energjisë, opozita duhet të argumentoj faktet se sa u shit, si u shit, sa sasi u prodhua. Gjëja që ka më pak nevojë në situata të tilla është lufta politike. Qeveria ka për detyrë të referojë konkretisht elementët e krizës dhe shkaqet që çuan në këtë krizë.
Detyra e opozitës është të ofrojë alternativa sepse është një forcë politike dhe qytetarët duhet të krijojnë bindjen se çfarë qasjesh ka. Kriza nëse do të zgjidhet përmes injektimit të sasive të mëdha parash, këto para janë të qytetarëve. Nëse ne pretendojmë që qeveria do ta mbrojë popullin shqiptar, nga një rritje e mundshme e çmimit dhe këtë do ta bëjë duke dhënë buxhetin e shtetit, nuk mendoj se i kemi ofruar ndonjë mbrojte shqiptarëve, thjesht nuk ua kemi marrë lekët nga xhepat por në mënyrë të tërthortë.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti për online Anila Kolgjini.
