Gjashtë organizata kundër Agjencisë së Medias: Rama me ministri propagande, Veliaj sulm ndaj RTV Ora
Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias kanë shprehur shqetësimin për vendimin e qeverisë shqiptare për krijimin e agjencie për “median dhe informim”. Sipas tyre, formimi i agjencisë është mjet kontrolli e kufizimi mbi punën e gazetarëve. Organizatat thonë se gazetarët në Shqipëri punojnë në një klimë armiqësore ndërkohë që përmendin rastin e gazetarit të rtv ora që u dhunua në përpjekje për të intervistuar kryebashkiakun e Tiranës erion veliaj.
Gjashtë organizata ndërkombëtare për lirinë e medias kanë publikuar një deklaratë të ashpër kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama për krijimin e një “Agjencie për Median dhe Informim” një vendim që është cilësuar si krijim i një “ministrie propagande”.
Sipas organizatave, një nismë e tillë nuk është gjë tjetër veçse mjet kontrolli që kufizon punën e gazetarëve.
Për këtë arsye ato i kërkojnë Bashkimit Evropian ti bëjë presion qeverisë kundër krijimit të kësaj agjencie.
Ndër të tjera, organizatat e cilësojnë shqetësuese nismën në realitetin aktual të krijuar nga kryeministri me frikësim të gazetarëve dhe me mohim të së drejtës për të bërë pyetje për gazetarët e cilësuar si të “opozitës”.
Qeveria shqiptare shpalli planet për krijimin e agjencisë së drejtuar nga zëdhënësi i kryeministrit i cili, sipas vendimit “do të ketë statusin e ministrit të Shtetit” dhe do të kontrollojë punësimet dhe marrëdhëniet publike të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore.
Organizatat evidentojnë rastin e dhunimit në detyrë të gazetarit të RTV ORA Isa Myzyraj teksa po përpiqej të pyetje kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Konkretisht në deklaratë thuhet se gazetarëve që shihen si përfaqësues të mediave "opozitare" u mohohet akreditimi ose u ndalohet të bëjnë pyetje në konferencat për shtyp ndërsa ata që kërkojnë komente nga zyrtarët personalisht ndonjëherë përballen me armiqësi dhe pengesa.
Ky koment i organizatave të lirisë së medias, i referohet incidentit të ndodhur në prill 2021 me gazetarin e RTV ORA i cili u përball me forcën e truprojave të kryebashkiakut të Tiranës në përpjekje për ti marrë atij një prononcim.
