"Do dilni shumë keq!" Rama apelon opozitën: Mos u ngutni t'u thoni se do tu rrisë çmimin e energjisë gogoli

Duke folur për krizën energjitike, kryeministri Rama tha se ne nuk kemi sot një kapacitet të tillë prodhues që të sigurojmë sovranitetin e plotë.

Rama: Për këtë po punojmë, po diversifikojmë burimet se nuk mund të varemi vetëm nga uji. Se kur ka shumë shi jo vetëm që nuk arrijmë dot të mbledhim rezerva por siç bënit ju në të shkuarën, për fat të keq duhet të bëjmë dhe ne se nuk bëtë asgjë për të ndërtuar Skavicën, jemi të detyruar të hapim portat dhe ti hedhim jo në lumë por mbi fusha të prodhimit ato të ardhura që duhet ti kishim për ditë të vështira. Kemi sot dy parqe në kantier me energji diellore, po hapim kantierin e energjisë së erës. Jemi në diskutime dhe për TEC-in e Vlorës që e latë gërmadhë për ta kthyer në portë të hyrjes së gazit të lëngshëm nga SHBA. Brenda kësaj dekade do jemi eksportues neto të energjisë, atëherë po, nuk do të jemi të varur se çfarë ndodh lart e poshtë.

Rama e paralajmëroi opozitën të mos ngutet me deklaratat për rritjen e çmimit të energjisë.

Rama: Megjithatë zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij populli, ti them kjo është situata, kjo është përballja. Nuk do ta lëmë vetëm as tani. Mos u ngutni t'u thoni do tu rrisë çmimin e energjisë gogoli se do të dilni shumë keq. Por mohimi i krizave dhe aleanca me virusin, tërmetin, përmbytjet dhe krizën energjitike nuk ju bën alternativë se do ju kishte bërë, po të ishit alternativë do ishit një zgjedhje e mundshme. Nuk zgjidheni dot se shqiptarët nuk janë budallenj si i trajktoni ju a thua se keni ardhur nga hëna, nuk keni qeverisur.Ju vetëm për energjinë duhet të bëni moratorium heshtje për një gjeneratë, se një gjeneratë e futët në  gropë ju me politikën tuaj energjetike. Keni lënë gropën më të madhe në historinë e planetit, jo vetëm të Shqipërisë, në sektorin energjetik. Edhe reformën për të ndaluar vjedhjet nuk e mbështetët, duke thënë se po futen njerëzit në burg se nuk paguajnë. Askush nuk u fut, por vetëm ata që vodhën. Të gjitha këto janë të thjeshta.

Gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, Rama rezervoi një përgjigje edhe lidhur me të ardhurat e ulëta në Shqipëri.

Rama: Jam shumë dakord që të ardhurat janë ende të ulëta në raport me sfidat, të ardhurat gjetkë janë më të larta. Por sa paguajnë ata andej?Për të mos rënduar njerëzit në këtë fazë jemi i vend në rajon me biznesin e vogël me taksën zero, ma gjeni kush e ka?Me TVSH zero deri në 100 milion lekë xhiro. Këto janë para që i kemi hequr nga mundësia për ti pasur në arkën e shtetit.

Ndërkohë propozimin e Bashës për uljen e TVSH-së për produktet e shportës, Rama e konsideroi surrealist.

Rama: Këto historitë me subvencionime, me ulje TVSH këtu dhe aty, dikush duhet ti paguajë ato. Ju keni gjetur zgjidhjet që hajdutët, olikargët, koncesionet, da da.Këto vlejnë për ata që ju besojnë pa mendje, ata nuk janë shumicë dhe nuk kanë për tu bërë.Shumicën mos e tallni në inteligjencën e vet. Ju habiteni si zgjoheni ditën e nesërme të zgjedhjeve dhe jeni prapë të mundur. Habiteni dhe kërkoni arsyen në forcat mbinatyrale dhe nëntokësore. Jo, arsyeja është këtu, çfarë mbillni këtu 4 vjet, shkoni dhe korrni atje. Çdo pështymë që hidhni këtu, çdo tallje që i bëni inteligjencës së këtij populli e mbillni dhe shkoni dhe korreni atje.Mos u merrni me persona, sa më shumë merreni me persona aq më pak do korrni aty. Ju nuk drejtoni dot veten tuaj, të drejtoni Shqipërinë.