Ambasada italiane uron Gledis Nanon: Të vendosur për të bashkëpunuar në luftën kundër kriminalitetit

Ambasada italiane në Shqipëri  ka uruar drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nanon për detyrën e re. Ambasada italiane nënvizon se janë të vendosur për të bashkëpunuar në luftën kundër kriminalitetit.

"Urime Kreut të ri të Policisë, Gledis Nano! Të vendosur për të forcuar më tej bashkëpunimin tashmë të shkëlqyer ndërmjet forcave të rendit për shtetin e së drejtës dhe në luftën ndaj çdo lloj forme të kriminalitetit," shkruhet në postimin e Ambasadës.

Gledis Nano mori zyrtarisht detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ditën e sotme(7 tetor).

Ceremonia e kalimit të detyrës nga drejtorit i dorëhequr Ardi Veliu te Gledis Nano u zhvillua paraditen e  sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

"Në këtë çast solemn, në shenjë nderimi, detyrimi dhe respekti për punonjësve të Policisë, në emër të Policisë së Shtetit, në nderin tim personal betohem që të mbaj me nder flamurin e Policisë së Shtetit," u shpreh Nano pasi mori detyrën.