‘Karteli’ i miellit ka rritur çmimin’, Abazi: Manovra oligarkësh që kanë kapur shtetin,mbajnë me pare politikanët

Kreu i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Bojken Abazi, ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve në Shqipëri, duke i konsideruar si manovra oligopolesh oligarkike.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, se disa kompani kanë në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë caktuar çmimet e shitjes duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit, në kundërshtim me ligjin.

Ai thotë se karteli i miellit ka rritur çmimin, ndërkohë shton se nuk ka asnjë reagim nga institucionet pasi sipas tij kemi një shtet të kapur.

Postimi i plotë:

Rritja e çmimit të bukës në Shqipëri është bërë me një manovër të jashtëligjshme, prej karteli. Në fillim të shtatorit, Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar se ndërmarrjet Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë caktuar çmimet e shitjes duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Në datën 29 shtator Autoriteti i Konkurrencës votoi 3 me 2 kundër vendosjes së gjobës për 5 kompanitë e lartpërmendura, edhe pse nga hetimi i zhvilluar po nga ky institucion u zbulua se këto kompani binin dakord për vendosjen e çmimit të bukës. 

Pra, karteli i miellit në Shqipëri ka rritur çmimin me një manovër të jashtëligjshme, ndërsa institucioni që do duhet të na mbronte prej karteleve nuk ka ndërmarrë asnjë masë, duke dëshmuar në mënyrë flagrante, me një tjetër shembull, kapjen e shtetit. Këto nuk janë praktika të një tregu të lirë. Këto janë manovra oligopolesh oligarkike që kanë kapur shtetin dhe mbajnë me pare pushtetarë e politikanë të partive të ndryshme. Lufta për mbrojtjen e njerëzve në nevojë nga rritja e çmimeve për shportën e mallrave bazike ia nis me luftën për çlirimin e shtetit nga kapja.