Paguajmë dy herë për një shkollë, Rajli dhe Varaku morën paratë në 2018, ndërtesa u dëmtua sërish në 2019

Shkolla "14 Nëntori" në Durrës konsiderohet si një nga rastet më flagrante në abuzimin me fondet. Për godinën u shpenzuan 78 milionë lekë nga Bashkia, por vetëm një vit pas përfundimit të punimeve ndërtesa u dëmtua rëndë. Edhe pse e klasifikua për tu rikonstruktuar sërish, ende nuk ka një hetim nga prokuroria.

Kompanitë që rikonstruktuan shkollën "14 Nëntori" në Durrës jo vetëm që fituan garën me dokumente të rreme, por edhe shkaktuan një dëm të konsiderueshëm në buxhet. 

Në vitin 2017 kompanitë ‘Rajli Ndërtim’ dhe ‘Varaku E’ morën  78 milionë lekë në tenderin ku u skualifikuan të gjithë pjesëmarrësit. 

Pas një viti objekti është marrë në dorëzim nga Bashkia e drejtuar nga socialistët, por dukshëm pa verifikuar cilësinë dhe punimet e realizuara.

Tërmeti i 26 nëntorit ka qenë ai që ka zbuluar të gjitha shkeljet, pasi ndërtesa u konsiderua e dëmtuar rëndë dhe si pasojë duhej rikonstruktuar sërish me para që do të jepen nga donatorët apo nga taksat e paguara prej shqiptarëve.

Pavarësisht këtij konstatimi askush nuk ka hetuar për cilësinë e punimeve dhe shpenzimet e kryera nga Bashkia apo rrezikun që mund të kishin fëmijët që mësonin në këtë ndërtesë.

Sipas dokumenteve zyrtare në prill të vitit 2018 grupi i auditimit ka konstatuar ulje të dy objekteve shtesë dhe anomali në pjesën e bashkimit me objektin ekzistues. 

Por sërish nuk ka pasur asnjë masë për kompanitë, madje edhe aktualisht nuk ka asnjë hetim.

Fatmirësisht nga lëkundjet e 26 nëntorit në këtë ndërtesë nuk ka pasur dëme në njerëz. Por fatura financiare po shkon sa për ndërtimin e dy shkollave nga e para.

Sipas Partisë Demokratike, rikonstruksioni për herë të dytë i shkollës ‘14 Nëntori’ do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 1.2 milionë euro pasi qeveria nuk ka kërkuar llogari për cilësinë e dobët të punimeve të kryera një vit më parë.

Edhe KLSH ka konstatuar shkelje të rënda duke përfshirë mungesën e inspektimit dhe akteve të konstatimit./OraNews/