Emërimi i Gledis Nanos, Sindikata e Policisë kërkon bashkëpunim: Nuk e patëm me Ardi Veliun
Sindikata e Punonjësve të Policisë e sheh me entuziazëm emërimin e Gledis Nanos si drejtor i përgjithshëm. Sadetin Fishta thotë se Sindikata ka përpiluar disa kërkesa për drejtorin e ri, me qëllim përmbushjen e detyrimeve që shteti ka ndaj efektivëve të policisë. Gjatë drejtimit 4-vjeçar, Ardi Veliu, kishte shkëputur çdo kontakt duke mos bashkëpunuar me Sindikatën e forcave të rendit.
Emërimi i Gledis Nanos në krye të policisë së shtetit pas dorëheqjes së Ardi Veliut është pritur më interes edhe nga Sindikata e Punonjësve të Policisë.
Kreu i saj, Sadetin Fishta, shprehet optimist për një bashkëpunim të mirë më Drejtorin e ri, duke nisur nga përpilimi i disa kërkesave të cilat do t'i dërgohen Gledis Nanos.
"Është përgatitur marrëveshja, ose kontrata e re kolektive që ka të bëjë me ndryshimet të gjithë legjislacionit policor që është në polici dhe kjo marrëveshje do jetë nesër Kushtetuta e gjithë punonjësve të policisë. Aty do jenë të gjitha detyrimet e punëdhënësit, detyrimet e punëmarrësit dhe detyrimet e gjithë Sindikatës që ka ndaj institucionit të policisë. Kjo do të forcojë marrëdhëniet institucionale dhe partneritetin me drejtorin e përgjithshëm," tha Fishta.
Sipas Fishtës, ndryshimi i kupolës drejtuese është një hap për një polici më të mirë si dhe për mbrojtjen e punonjësve të cilët për 4 vite ishin shtypur në drejtimin e Ardi Veliut, i cili sipas Fishtës nuk ka mbajtur asnjë kontakt me Sindikatën.
"Me Ardi Veliu kanë qenë marrëdhëniet, le mos themi që qëkur është ulur në karrige nuk është takuar njëherë më drejtuesit e Sindikatës, por vetëm me nivelet më të ulëta të drejtorit të përgjithshëm. Në një kohë që vetë ligji na jep të drejtën që të gjitha kërkesat, të gjitha problemet që ne shtrojmë duhet të takohet kryetari i Sindikatës me drejtorin e përgjithshëm," shtoi Fishta.
Gledis Nano menjëherë pasi mori zyrtarisht detyrën si drejtor i Përgjithshëm ka vijuar takimet me drejtorët e policive në qarqe, të cilët në ditët në vijim do të kenë edhe ndryshime me qëllim përmirësimin e punës./OraNews/
