Basha: 5 shtete me peshë s'duan hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE edhe nëse hiqet vetoja bullgare


Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi sot në Kuvend se 5 shtete në samitin e Sllovenisë  kanë vendosur që të mos hapin negociatat edhe nëse Bullgaria vendos që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

Basha: Nuk e thotë ky, që në Slloveni, të paktën 5 vende anëtare me peshë kanë vendosur që edhe sikur që nesër Bullgaria t’ia heq veton Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat, pas atij raporti sepse nuk kanë në krye një kryeministër dhe një qeveri që ka ardhur përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, por përmes shkrirjes në një të shtetit me partinë si Lukashenko, përmes blerjes së votave me paratë e krimit dhe të korrupsionit që u zhvat ju, nga xhepat tuaj. Ju çon në kufij të mjerimit, pastaj t’ua blej votën, si Lukashenko. Vetëm një rekomandim mjafton për të kujtuar se ku e katandisi vendin në 8 vite në krye, ky na rreh gjoksin si studenti i vonuar i lëvizjes së dhjetorit. Shteti duhet të garantojë lirinë dhe sekretin e votës, njësoj si Lukashenko i Bjellorusisë.

Në deklaratën përmbyllëse Samitit, ndërsa rikonfirmojnë angazhimin e tyre për procesin e zgjerimit, vendet anëtare vënë gjithashtu në dukje “rëndësinë që BE të mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar aftësinë e vet, për të integruar anëtarë të rinj”.

Një përcaktim që dëshmon dilemat gjithnjë e më të mëdha në gjirin e vetë BE-së për procesin, por që duket të ketë qenë formula e kompromisit mes vendeve anëtare që të paktën termi “zgjerim” të mos mbetej jashtë tekstit.

Vonesat dhe pengesat e papritura që janë shfaqur gjatë procesit, siç është dhe rasti i fundit me Mqedoninë e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë, duke mbajtur peng dhe organizmin e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, mbajnë gjallë pikëpyetjet mbi parashikueshmërinë e tij.

Presidentja e Komisionit pranoi se "mungesa e një vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po rrezikon pozitën tonë dhe ndikimin tonë në rajon".

Të mërkurën pati një tjetër përpjekje për zgjidhjen e ngërcit mes Sofies dhe Shkupit, ku u zhvillua një tjetër takim mes presidentit bullgar dhe kryemnistrit maqedonas.

"Ishte shumë e rëndësishme sot gjatë gjithë ditës, të ecim përpara në këtë proces për të sqaruar këtë proces. Eshtë duke u bërë një punë intensive nga Komisioni për të gjetur me të vërtetë çështjet kryesore në temat dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe të sigurohemi që të ketë një udhërrëfyes në mënyrë që të ketë një hap shumë praktik përpara për të zgjidhur problemet", bëri të ditur zonja Von der Leyen.

Ajo kujtoi se me ndërmjetësimin europian u zgjidh tensioni i fundit mes Serbisë dhe Kosovës për cështjen e targave.

Sipas saj "ishte një mesazh i shkëlqyer, për rajonin, se është e mundur të ulesh në tryezën e negociatave, se BE po tregon gatishmërinë për të gjetur zgjidhje e se dhe në situata shumë të vështira është në gjendje t'i gjejë ato zgjidhje, për të ecur përpara".