Enkelejda Hoxha që lironte “të fortët” i lutet ish-kolegëve në Gjykatë: Kthejani prindërve paratë e sekuestruara

Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha humbi betejën me drejtësinë për kthimin e parave të sekuestruara në banesë pas arrestimit të saj me akuzën e korrupsionit.

Bëhet fjalë për afro 10 milion leke të vjetra të cilat gjyqtarja pretendoi se janë nga kursimet e prindërve dhe pensionet e tyre.

Ish-gjyqtarja e Krujës ishte vetë e pranishme në Gjykatë dhe mes lotësh i ka kërkuar trupit gjykues të ktheje prindërve shumën e parave, pasi pas arrestimit të saj ata dhe fëmijët e saj të cilët jetojnë me prindërit e saj janë në vështirësi të mëdha financiare dhe në kufijtë e mbijetesës.

Por përfaqësuesit e akuzës kërkuan që shuma të mbahet e sekuestruar ndërkohë që Gjykata aprovoi qëndrimin Prokurorisë.

Ish-gjyqtares Enkelejda Hoxha i janë rrëzuar deri tani edhe 11 kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë, për shkak të gjendjes shëndetësore të dy fëmijëve që jetojnë me prindërit e saj.

Ish-zyrtarja e drejtësisë u arrestua bashke me 9 persona të tjerë pasi sipas Prokurorisë do të lironte kundrejt shpërblimit të dënuarin për vrasje Saimir Petani.

Avokati Aldo Tabaku ishte pjesë e skemës bashkë me sekretaren e gjykatës, Manuela Mallakuçi dhe ekspertin mjeko-ligjor, Shkëlqim Korbi.

E njëjta gjyqtare sipas prokurorisë kishte firmosur edhe lirimin e disa personave të tjerë të dënuar për krime të rënda./OraNews/