Çelet ekspozita për trashëgiminë kulturore në Muzeun Kombëtar

"Kjo është një veshje shumë e hershme të cilën e kanë përdorur vajzat e reja para se të bëheshin nuse. Janë punime me qëndisje, shumë të hershme."

Kjo është  stilistja Kozeta Halili. Në kuadër të ditëve të trashëgimisë kulturore në hollin e muzeut solli veshjet e saj të punuara deri në detaje si dhe kostumet popullore të krijuara në mënyrën më origjinale.

Me punën e saj ajo tenton të kthejë pas në kohë edhe veshje të punuara në mënyrë artizanale. Të sjellë nostalgji për të moshuarit dhe t'i përcjellë tek të rinjtë dhe tek biznesit social në Shqipëri.

"Me këtë model të tillë duke u ndërthurur kemi sjellë një kapele të vogël fëmijësh. Këto janë nga hershmëria të cilën ne duam ta sjellim si traditë dhe pse jo një bukuri e rrallë."

Elva Margariti, ministrja e kulturës u shpreh se ekspozimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe objekteve të bizneseve kreative, sipërmarrjeve të reja është shtyllë shumë e rëndësishme që na bën krenar që jemi shqiptar.

"Ne e kemi parë me vlerë politikën ndër vite të të bukurës së të qenit shqiptar dhe gjithmonë me pikëpyetjen çfarë do të thotë të jesh krenar të jesh shqiptar?"

Dhe drejtori i muzeut, Dorjan Koçi e sheh si të domosdoshme përfshirjen  e biznesit kreativ në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

"Në këtë aspekt muzeu historik kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend ndër vite ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të cilat kanë synuar në sensibilizimin e opinionit publik për gjithë-përfshirjen e bizneseve kreative në trashëgiminë kulturore."

Pasioni i  të rinjve për ndërtimin e  sipërmarrjeve  kreative dhe inovative duke ruajtur element kulturor e historikë ishin në fokusin e këtij takimi. /OraNews/