Avokatët kundër hartës së re gjyqësore
Avokatët shprehen kundër projektit të KLGJ-së, i cili në hartën e re gjyqësore parashikon vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë.
Sipas tyre ky përqendrim mund të sjellë mbivendosje të çështjeve pasi pothuajse të gjitha vendimet e shkallës së parë apelohen.
Avokati Ervis Gurishti thotë për Rtv Ora se për qytetarët do të ishte më emirë propozimi që të ketë tre të tilla, një tjetër ide e hedhur kjo edhe nga ministria e drejtësisë.
"Pagën mendoj që mund të zgjidhet me 3 gjykata. Më e mira të ishin 3 gjykata, për tre pjesë të republikës, për zonën qendrore, veriore dhe jugore. Të paktën të ketë një shpërndarje, sepse po të jetë një gjykatë e vetme mund të ketë edhe bllokim."
Gurishti thotë se situata aktuale është e rendë sidomos ne çështjet civile. Sipas tij ka patur raste kur kërkuesit mund te kenë ndërruar jetë dhe çështja ende nuk ka kaluar në seancë.
"Problemi është serioz, për arsye se gjyqet mbarten vazhdimisht dhe nuk po mbahet drejtësi për çështjet. Për çështjet civile ka raste ku janë vonuar me 2 apo 3 vite dhe nuk i dihet se sa do zgjasin një ankim që është bërë. Ka pasur klientë që nuk kanë gjetur zgjidhje, pasi kanë humbur jetën."

Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor synon reduktimin e gjykatave ne rrethe te vogla si Kavaja, Dibra dhe përqendrimin e gjyqtarëve në gjykata të rretheve kryesore.
Sa i takon gjykatës së apelit ekspertët e KLGJ-së këmbëngulin për një gjykatë Apeli, që do të përqendrohet në Tiranë. ide kjo që është kundërshtuar nga avokatët.

