Kim viziton vendin ku do ndërtohet Skavica, banorët kundër projektit: Na dëmton shtëpitë dhe pronën
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, inspektoi vendin ku do të ndërtohet Hidrocentrali i Skavicës në Kukës, një investim i kompanisë amerikane Bechtel.
Zyrtarja e lartë tha se qeveria amerikane ka tri prioritete për Shqipërinë.
"Kur mbërrita në Shqipëri e bëra shumë të qartë që kemi tri prioritete: Demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Mbrëmë kemi festuar 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Sikurse jeni në dijeni ne kemi bërë përparim. Sa i përket mbrojtjes, Shqipëria pati mundësi të mirëpresë një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të Ballkanit.Gjithashtu jeni në dijeni që në frontin e demokracisë ne kemi bërë përparim si çështë psh gjithë mbështetja për reformën në drejtësi. Dhe sa i takon biznesit ne do të vazhdojmë të ecim përpara, pavarësisht çdo lloj vështirësie".
Projekti i përfunduar, tha Kim, do të ketë një ndikim të thellë në peizazhin energjik të Shqipërisë.
"Në fakt, sapo kam qenë në një konferencë ndërkombëtare të energjitikës dhe fola për rolin emocionues që Shqipëria po luan në sektorin e energjisë. Ky projekt jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë një hap më pranë shndërrimit në një eksportues të qëndrueshëm të energjisë, më shumë se sa importon, dhe që mund të ndihmojë për të zgjidhur ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe brenda një rajoni që është tepër i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit".
Ndërkohë banorët që jetojnë buzë lumit Drin, mes Kukësit dhe Dibrës, prej muajsh kanë protestuar kundër ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës.
Janë disa fshatra që e kundërshtojnë atë për shkak se sipas tyre projekti do të përmbytë shtëpitë dhe tokat e tyre me të cilat sigurojnë të ardhurat.




