Shkollat me dhe pa mësim, shkak godinat e dëmtuara nga tërmeti
Shkolla 9-vjeçare 'Xhezmi Delli' është një nga 83 shkollat në të gjithë vendin, që nuk i hapën dyert këtë fillim vitit shkollor, për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i nëntorit të 2019-ës.
Dikur në këtë shkollë mësimi zhvillohej me turne për shkak të numrit të lartë të nxënësve, ndërsa sot këta nxënës janë transferuar nëpër shkolla të tjera, duke e vështirësuar edhe më shumë punën në ambientet pritëse.
Edhe pse Ministria e Arsimit vendosi të hiqen mësimet me turne, në disa prej tyre do të ketë mësim paradite dhe pasdite.
Ende nuk ka një numër të saktë se sa shkolla do të kenë këtë procedurë, por raportohen vetëm se 151 institucione arsimore u dëmtuan nga tërmeti dhe vetëm 68 janë rindërtuar.
Në shkollën 'Xhezmi Delli' në Tiranë, megjithëse dyert dhe dritaret janë hequr, nuk shihet askush duke punuar, madje nuk ka asnjë tabelë që njofton se kur do të nisin e kur do të përfundojnë punimet.
Me ritme të ngadalta po vijojnë punimet edhe në Gjimnazin “Sami Frashëri”, për të cilën fillimisht u premtua se do të ishte gati këtë shtator.
Nxënësit e saj tashmë janë shpërndarë në dy shkolla të tjera pritëse, duke rënduar edhe aty situatën.
Për shkak të kthimit të mësimit në kushte normale, drejtuesit e shkollave do të punojnë gjatë fundjavës për përcaktimin e orarit të ri për nxënësit në mënyrë që të hënën të mos ketë paqartësi.
Disa drejtues shkollash sqarojnë se në turnin e parë do jenë nxënësit e klasave të ulëta, ndërsa pasdite, deri në orën 18, do të jenë nxënësit e klasave të larta.
Një tjetër shqetësim i prindërve është edhe numri i ulët i mësuesve në disa shkolla, në fillim të këtij viti shkollor ishin 1700 vende vakant për sistemin parauniversitar, ndërkohë që aktualisht ende nuk është bërë plotësimi i tyre.

/Ora News/

