Rama: S'ka monumente të parrëzueshëm të të shkuarës, opozita do i përgjigjet apelit për Vetingun
Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaron se në mandatin e tretë të qeverisë së tij ka shumë gjëra që mund të bëhen ndryshe.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Rama flet dhe për vendimin e Departamentit të Shtetit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe faktin pse ka zgjedhur të heshtë rreth kësaj çështjeje.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, deri më sot ju nuk jeni prononcuar lidhur me përcaktimin e Sekretarit të Shtetit për ish kryeministrin Berisha, pavarësisht se bëhet fjalë për një ngjarje jo të zakonshme. Përse keni zgjedhur të heshtni?
Kryeministri Rama: Flet vet Sekretari i Shtetit në këtë rast dhe mendoj që çdo prononcim në këtë drejtim do të politizonte edhe më shumë një fakt, i cili nuk ka nevojë për koment, një fakt që është në sytë e gjithë shqiptarëve, jo sot, por prej vitesh e vitesh, një fakt që tregon se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe se nuk ka më asnjë monument të parrëzueshëm të të shkuarës së korrupsionit dhe të pengimit të demokracisë.
Rama u shpreh i bindur se opozita nuk do të mungojë në apel, kur do të numërohen votat në funksion të zgjatjes së mandatit të institucioneve të vetingut
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, partia juaj është shprehur për nevojën e zgjatjes së mandatit të institucioneve të vetingut deri në përfundimin e këtij procesi. Kjo kërkon ndërhyrje në Kushtetutë, çka nënkupton një konsensus me opozitën. Por kjo e fundit ju ka akuzuar se keni përdorur reformën në drejtësi për ta vënë atë në kontrollin tuaj. A jeni optimist se mund ta siguroni mbështetjen e opozitës?
Kryeministri Rama: Unë nuk dua të merrem me akuzat, por dëshiroj që të fokusojmë të gjitha forcat dhe energjitë tona tek punët, që lidhen me përparimin e vendit, që lidhen me përmirësimin e jetës së njerëzve. Dhe kjo është një nga këto punë. Natyrisht që ne nuk i kemi votat për të bërë ndryshimin përkatës, por nga ana tjetër kjo është një reformë, e cila nuk është vetëm e jona, por është një reformë që ka patur qysh ditën e parë mbështetës dhe garantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, dhe unë nuk besoj që opozita do të mungojë në apel, kur do të numërohen votat në funksion të kësaj reforme.