Nuk ishte në mbrëmjen gala e TKOB, Inva Mula: Më ftuan si spektatore, nuk u folën për prindërit e mi

Mbrëmja gala e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ka pasur edhe ata që u ka mbetur hatri.

Njëri prej tyre ishte edhe sopranoja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula e cila nuk mori pjesë në këtë event.

Përmes një interviste për Tirana Post, sopranoja Inva Mula është shprehur se ajo ka marrë ftesë për në mbrëmjen gala, por si spektatore.

Po ashtu, ajo ka shtuar se nuk mund të pranonte një ftesë të tillë, pasi eventi përkonte edhe me një përvjetor të teatrit, i cili ka të bëjë me prindërit e sopranos, Avni dhe Nina Mula.  

Mula: Më vjen keq që kanë dalë, se po bëhet si gjyq. Kuptuat apo nuk kuptuat? Jam ftuar në publik po. Më ka ardhur ftesë nga sekretarja e drejtorisë, për të qenë në publik, si spektatore, dhe nga Ministria e Kulturës si spektatore, por nuk e kam pranuar. Nuk mund të jem spektatore. Inva nuk mund të jetë spektatore. Unë mund të isha edhe 99 vjeç, prapë nuk do isha spektatore në një ngjarje të tillë. Se nuk ishte vetëm hapja e rinovimit të teatrit, por përkonte me një përvjetor të teatrit. Ky teatër ka një histori.

Ajo ka theksuar se ka bërë shumë mirë që s`kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindërit e mi.

Mula: Ky teatër ka një memorie e cila rëndon mbi supet e shumë artistëve. Po një peshë, një gur i rëndësishëm në këtë memorie është familja Mula aty brenda. Nuk bëhet fjalë për Invën. Bëhet fjalë për Nina dhe Avni Mulën. Nuk e di, por paskam bërë shumë mirë që s`kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindërit e mi. Atje nuk ka dalë një imazh i premierës të Invës 22-vjeçare me Traviatën, që kam thyer të gjitha rekordet. Deri atëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Domethënë, në qoftë se historia në Shqipëri do shkruhet nga njerëz të cilët ose nuk e njohin, ose janë dashakeqës.