Kurti-serbëve: S’keni pse i bllokoni rrugët, ne jemi për dialog e bisedimi, por Serbia refuzon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish rreth gjendjes në vendkalimet kufitare, ku serbët po protestojnë kundër masës së reciprocitet për targa.
Kurti këtë herë u ka bërë thirrje serbëve që të mos i bllokojnë rrugët, teksa ka shtuar se vendimi për reciprocitet për targa është i drejtë.
Kurti: Njësia Speciale ndodhet atje për t’i mbrojtur policët kufitarë dhe pikat kufitare, unë vazhdimisht u bëjë thirrje qytetarëve serbë që nuk kanë nevojë t’i bllokojnë rrugët, meqenëse po e pengojnë lirinë e lëvizjes dhe lirinë e vetvetes. Nuk e kuptoj atë inat përplot vrer të presidentit të Serbisë, ai e ka ditur shumë mirë që më datën 15 shtator skadon afati i marrëveshjes të cilën e ka pranuar vetë Serbia dhe do të dëshiroja të mos kemi tabela provuese as ne as Serbia, por për shkak se ata po insistojnë te ato tabela, do të na duhet t’i kemi edhe ne.
Kurti shtoi se qeveria e tij nuk është kundër dialogut dhe takimeve, por kjo gatishmëri e Kosovës ka hasur në refuzimin e Serbisë.
Kurti: Ata insistojnë të ketë dialog dhe bisedime që të diskutohet për këtë gjë, ne nuk jemi kundër takimeve, bisedimeve e dialogut, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të shkojmë edhe në Bruksel, që të bisedojmë për këtë çështje, mirëpo pasi që e kanë marrë gatishmërinë tonë kanë hasur në refuzimin e Beogradit. Po i bëjnë dëm vetës.
Qeveria e Kosovës, ditën e hënë ka vendosur për aplikimin e masës së reciprocitetit për Serbinë, duke larguar targat e tyre dhe duke u pajisur me targa të përkohshme të Kosovës.

