Kumbaro: Do mundësojmë menaxhim më të mirë të mbetjeve, statistikat do jenë publike
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Ministrave, të Kabinetit ‘Rama 3’. Vendimet që janë marrë janë bërë të ditura nga vetë ministrat.
Ministrja e emëruar për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro, është shprehur se menaxhimi i mbetjeve do të bëhet në një metodologji të unifikuar në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Kumbaro: Miratuam sot në mbledhjen e dytë të qeverisë një amendim të një VKM-je ekzistuese që ka të bëjë me mënyrën se si menaxhohen mbetjet. VKM-ja që ne miratuam është një riamendim i një vendimi të 2015 që saktëson metodologjinë me të cilën njësitë e qeverisjes vendore të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre si publikohen dhe standardizohen.
Do të jetë një metodologji e unifikuar për të gjitha bashkitë në Shqipëri. Bashkitë do të jenë të detyruara të bëjnë publike statistikat e mbetjeve në territor. Më këtë do mundësojmë një menaxhim më të mirë të mbetjeve. Kjo do të shoqërohet me një paketë trajnimesh të gjitha njësive vendore për ta ndjekur çdo ditë situatën në terren.
/ Ora News/
