Të dehur në timon apo pa leje drejtimi, 10 shoferë të arrestuar në 24 orët e fundit

10 drejtues mjetesh dhe motomjetesh kanë përfunduar në prangat e policisë gjatë 24 orëve të fundit për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.  

Janë pezulluar 44 leje drejtimi, nga të cilat 27 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 17 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.           

Po si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët në Komisariatin Dixhital dhe në nr 112,  janë ndëshkuar me masë administrative në të gjithë vendin 768 drejtues mjetesh për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Nisur nga fakti se  përgjatë fundjavës në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve, si dhe nga fakti i prezencës së lagështirës në rrugë, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos shpejtojnë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparatë fotografik.