"Djali kozmopolit…" Shehi-Ramës për Open Balkan: Kosovarët mund të duken të trashë, por janë tanët
Deputeti, Dashamir Shehi, gjatë fjalës së tij në Kuvend tërhoqi vëmendjen për nismën rajonale Open Ballkan dhe qasjen diplomatike të Tiranës zyrtare ndaj Prishtinës.
Me tone të ashpra, Shehi tha se në 30 vite kur Shqipëria nuk ka marrë vendime si ky që shkojnë kundër interesit të gjysmës tjetër të kombit.
Ai e ftoi mazhorancën për reflektim, pasi siç tha ka disa plagë që po u hapën nuk mbyllen kurrë.
Shehi: Kemi një javë që dëgjojmë gjithë këtë diskutimin e gjatë Open Balkan, Close Balkan. Të gjithë këta me kryeministrin në krye kanë në ndërgjegje një peng të madh, një lloj gjesti politik pa rrugë përpara nuk është bërë ndonjëherë në Shqipëri.Që të sajosh një ide se promovon imazhin tënd të bën ty djalin kozmopolit të Europës në një Ballkan katundarësh, aq më tepër që fatkeqësisht katundarët janë bashkombasit tanë.
Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri në 30 vjet. Kemi bërë lloj-lloj gafash, lloj-lloj budalliqesh, por të marrim iniciativë që shkon kundër gjysmës së kombit tonë kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kush është justifikimi? Që ne këtë e bëjmë për të zhvilluar marrëdhëniet, se marrëdhëniet do tu shërbejnë të gjithëve.
A thua se këtë tezë të përgjithshme nuk e kuptojnë as këtu, as në Europë, as në Ballkan. Jo more zotëri, nëse atyre miqve tanë të Kosovës, nuk po u them me këtë patetizmin vëllezërve tanë, nuk u leverdis kjo punë, nuk e bëjmë. Ata mund të jenë të pa zot, mund të jenë të këqinj, mund ta kenë gabim ata të Kosovës, mund të jenë dhe të avashtë, të trashë, quajeni si të doni, por janë tonët ama. Ditën që kjo sallë e harron këtë punë nuk vlejnë politikat e mëdha.
Ne kemi nevojë për patriotë, njerëz të ndershëm, nuk kemi nevojë për zhëni. I kemi parë zgjedhjet e mëdhaja diplomatike që janë bërë nga ky vend, të reflektojmë për këtë punë. Gjithë plagët mbyllen por janë disa që mbeten.
