Balla: PD me sjellje të papranueshme, koha e sherrit ka përfunduar, duhet komunikim

Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se seanca e sotme nuk ishte për debate.

Ai tha se shpreson që ngjarje si ajo e largimit të opozitës nga salla të mos përsëriten më, pasi sipas tij koha e sherrit ka përfunduar.

Balla: U larguan nga një seancë që ishte një seancë dakordësie të plotë, sepse miratohen propozimet e grupeve parlamentare. Në këtë seancë nuk mund të kemi debate me njëri-tjetrin. Duhen vetëm që opozita të ketë një deputet në një komision, ndërsa mazhoranca ka të drejtën që një deputet te jetë më shumë se sa një komision. Shpresoj që kjo ngjarje e sotme të mos përsëritet në seancat e ardhshme. Koha për debate dhe sherrnajë ka përfunduar.

Ne kemi një mandat në shumicë dhe e rëndësishme është që nuk mund të gjejmë arsye të paqena për tu larguar nga seanca. Dëshira jonë ishte që komisionet që të fillonin punë menjëherë. Jam informuar se do të ketë 2 grupe të tjera të opozitës, dhe kjo i bie që në konferencat e kryetareve do të jemi në barazim.  E rëndësishme është gatishmëria jonë, edhe pas kësaj shprehje të pa pranueshme, ne do të vazhdojmë që të punojmë dhe të gjejmë rrugë për komunikim konstruktiv.