Bëmat e gjyqtarit Sota në Fier, lirimet skandaloze e dorëheqja dy ditë pasi nxori nga psikiatria Bengaj
Gjyqtari Piro Sota jo pak herë është bërë shkak i skandaleve në dhënien e vendimeve gjyqësore, qoftë civile dhe penale. Vendimi i fundit në karrierën e tij, ishte pikërisht lirimi nga spitali psikiatrik i Zaharisë në Krujë, i Elton Bengaj alias Mata.
Ky vendim i datës 26 korrik 2021, ishte turpi i fundit i vendimmarrjes së këtij gjyqtari. Pas një muaj e 10 ditë, njeriu që liroi gjyqtari Piro Sota, Elton Meta, vrau me automatik gruan e tij, Sabrina Bengaj.
Dy ditë pas këtij vendimi në datën 28 korrik 2021, gjyqtari Sota ka paraqitur dorëheqjen e plotë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Me këtë dorëheqje Sota, ka njohur dhe anëtarët e “Vettingut”, duke kërkuar ndërprerjen e verifikimeve për të.
Ndërsa në 9 shtator 2021, komisioni i vettingut me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Xhensila Pine dhe Olsi Komici, përjashtoi gjyqtarin e Fierit nga drejtësia, pas vendimit të tij për të dhënë dorëheqjen, një lëvizje kjo për t’i shpëtuar përballjes me Vetingun.
Në 31 janar të këtij vitit, gjyqtari Sota liroi nga burgu tre të akuzuar për vrasjen e 57-vjeçarit Pelivan Sinanrrapaj.
Ferdinand Merkaj, Fitim Zekaj e Festim Alimerkaj u liruan me argumentin se nuk paraqesin ‘rrezikshmëri shoqërore’.
Për 3 të dyshuarit prokuroria kërkoi masën arrest me burg për ngjarjen e rëndë në Ballsh, duke paraqitur pamje filmike dhe dëshmi për dhunën që i shkaktoi më pas vdekjen të ndjerit, por gjyqtari Sota i la jashtë dyerve të burgut.
Pas publikimit të skandalit në media, Gjykata e Fierit u vu në lëvizje, duke rikthyer në burg të akuzuarit për vrasjen e Ferdinand Merkajt.
Në tetor të vitit 2019, Piro Sota, liroi nga burgu anëtarin e Bandës së Durrësit, Sardian Sulejmanin, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Avni Gashit në tetor 2005 në Tiranë si dhe për dy atentate ndaj kreut të bandës, Lul Berisha, pas përçarjes së bandës.
Sota i fali 5 vite burg Sulejmanit, me argumentin se ka babanë vetëm. Në shtator të vitit 2018, Sota liroi nga burgu me kusht Ermal Hoxhën, nipin e diktatorin Enver Hoxha, i dënuar me 6.8 vite burg për trafik droge, konkretisht për dosjen “Xibraka”.
Ermal Hoxhës i kishin mbetur edhe 1 vit e 8 muaj burg, por gjyqtari Piro Sota i hapi derën e burgut. Gjyqtari Piro Sota ka marrë pjesë edhe në lirimin nga burgu të Fatmir Kajollit dhe Arben Isufaj ose siç njihet në Fier “Ben Qimja”.

