Muzikë pas orës policore, gjobitet administratori i lokalit në Sarandë dhe klientët

Policia e Sarandës ka ndëshkuar me masë administrative, administratorin e një subjekti në Sarandë pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar.

Sipas njoftimit të bluve, u ndëshkuan me masë administrative edhe 23 klientë të subjektit.

Policia ka sekuestruar pajisjet muzikore dhe një sasi të vogël kanabisi.

"Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në vendin e quajtur “Ura e Kranesë” 1 subjekt që po vijonte organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje," informon policia.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht administratori i subjektit shtetasi V(D). M., 45 vjeç, për veprat penale "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" Ushtrimi pa lishencë i veprimtarive financiare”, dhe ”Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Gjithashtu, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për administratorin e subjektit, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, dhe masa administrative 10.000, për 23 klientë, të konstatuar në subjekt.

Gjatë kontrollit të ambientit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lëndë narkotike kanabis.