"Vendi i Berishës në PD është i padiskutueshëm", Kola: Vendimi i Bashës nuk i redukton influencën
Analisti Vehap Kola i ftuar në studion e Ora News diskutoi një nga temat më të nxehta të momentit, përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar me vendim të kreut opozitar Basha.
Zoti Kola u shpreh se PD-ja ndodhej përballë një zgjedhjeje të imponuar nga partneri më i rëndësishëm i saj siç është SHBA.
Kola: "PD-ja pak a shumë ishte para një zgjedhjeje të imponuar nga partneri më i rëndësishëm i PD-së që është SHBA-ja. Kërkesa ndaj PD-së ishte e tillë që mospranimi i kërkesës do shkaktonte tërmet në PD. Zgjidhja më e mirë do të kishte qenë që zoti Berisha të mos e linte PD-në të shkonte drejt këtij momenti. "
Analisti u shpreh se kërkesa e SHBA-së për të përjashtuar liderin historik ishte një test shkatërrimtar për PD-në. Sipas tij, vendimi i zotit Basha nuk e ka prekur vendim e Berishës në PD, pasi roli i tij është i padiskutueshëm.
Kola: "Ky është një testim për PD-në nga ndërkombëtarët. Është një tejkalim i pritshmërive që ne kemi ndaj politikës amerikane. Ky ishte një test shkatërrimtar për PD-në. Demokratët duan që PD-ja të vijë në pushtet. Vendi i Berishës në PD është i padiskutueshëm. Vendimi i Bashës nuk e ka prekur vendin e Berishës në PD. Mua më duket që ky është vetëm një gjest, jo një vendim me peshë juridike. Ky lloj vendimi nuk ka prekur aspak vendin e Berishën në PD, është njeri me influencë dhe kjo influencë nuk mund të reduktohet me një vendim."
Më tej, Kola shtoi se askush në PD nuk ka dashur të merrej vendimi për përjashtimin e Berishës pa prova dhe fakte, sepse edhe vendimi i DASH nuk është i bazuar në prova.
Kola: "Nuk besoj që ka njeri në PD që është i kënaqur me atë vendim. Askush nuk ka dashur që të cenohet pa asnjë provë, pa asnjë fakt figura e Sali Berishës dhe të merrej një vendim i cili po prapë është ngritur pa prova dhe fakte. Vetë vendimi që ka marrë DASH nuk ka prova dhe fakte, sepse deri tani nuk janë publikuar të tilla. Jam shpresë mirë dhe besoj çdo demokrat e ka këtë që zoti Berisha do dalë i pastër dhe i paprekur nga ky proces."
Në mbyllje Kola tha se beson që zoti Berisha do dalë i pastër nga ky proces.
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
