Kush po e vret familjen shqiptare? Dervishi: Rastet e dhunës janë në rritje, ndodhemi në situatë traumatike
Një ngjarje e rëndë dhe e paralajmëruar tronditi Fierin pak para mesnatës së të premtes, ku një 31-vjeçar ekzekutoi me armë ish gruan e tij dhe më pas u arratis nga vend i krimit për tu arrestuar ditën e sotme. Ngjarje kjo e cila pason dhjetëra krime në familje në ndodhura në vendin tonë.
Sociologu Zyhdi Dervishi i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Kostana Morava u shpreh se shoqëria shqiptare është përballur me shumë krime në 30 vitet e fundit. Sipas tij, ndodhemi në një situatë traumatike ku fatkeqësisht rastet e dhunës dhe krimeve në familje po rriten.
Dervishi: "Këto 30 vitet e fundit shoqëria shqiptare është përballur me shumë krime, shumë më tepër se në kohën e monizmit. Me vrasje, vrasje brenda familjes, me dhunime brenda familjes e kështu me radhë. Duhet theksuar se një vajzë e re u vra, dy fëmijë mbetën jetimë pa nënë dhe baba. Kemi të bëjmë jo me një problem, jo vetëm me një vrasje, kemi të bëjmë me shkatërrim jete të një grupi njerëzish. Ndodhemi në një situatë traumatike, fatkeqësisht këto po shtohen. Në njëfarë mënyre është legjitimuar krimi."
Zoti Dervishi u shpreh se duhet një studim përsa i përket urdhrave të mbrojtjes të lëshuar nga organet e drejtësisë, pasi sipas tij kanë efekte negative. Sociologu tha se burrat të cilët marrin një urdhër-mbrojtje dhe ndalohen të komunikojnë me ish-bashkëshorten bëhen më të dhunshëm.
Dervishi: "Strukturat e drejtësisë 30 vitet e fundit kanë dhënë shumë urdhra mbrojtjeje, kryesisht për gratë. Për mua në shumicën dërrmuese burrat e mbrojtjes janë benzinë që i hidhet zjarri. Burrat të cilët kufizohen me urdhër mbrojtje për të komunikuar me ish-bashkëshorten bëhen më agresivë. Duhet bërë një studim këtu nëse urdhri i mbrojtjes ka efekt negativ apo pozitiv. Në shumicën e rasteve kanë pasur efekt negativ, burrat bëhen më të dhunshëm."
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani njoftoi sot (11 shtator) se ka nisur vlerësimi i rastit të vrasjes së 23-vjeçares nga ish-bashkëshorti.
Intervistoi Kostana Morava, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
